Fuqia e lutjes ndërmjetësuese

Aug 7 • Meditimi i ditës

7 gusht 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nr 13,1-2a.25 – 14,1.26-30.34-35; Ps 106,6-7b.13-14.21-23; Mt 15,21-28)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që të hyj e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Lus për hirin e fesë,

të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që ai të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

– – – 

Mt 15, 21-28

21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:

“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”

24 Ai u përgjigj:

“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:

“Më ndihmo, o Zot!”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”

27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:

“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”

Në atë moment bija e saj u shërua.

– – – 

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Mateu ungjilltar na paraqet një nënë e cila do të ishte në gjendje të bënte gjithçka për të arritur shërimin e vajzës së vet, dhe e cila me qëndresë ndërmjetësonte te Jezusi për fëmijën e vet. Ajo e di se jeta mund të ndryshojë madje edhe me një lutje të vogël drejtuar zemrës së Jezusit. Ajo vjen për të kërkuar diçka jo për veten e vet, por për tjetrin. Sa e fuqishme është lutja ndërmjetësuese!
  • Jezus, Zotërues i gjithë krijimit, dëgjoji lutjet tona ndërmjetësuese për ata që i duam. Shëroji të sëmurët tanë, ngushëlloji ata që janë të trishtuar për shkak të vdekjes së ndonjë të afërmi, na pajto me ata të cilët na kanë lënduar dhe që ne i kemi lënduar. Na i falë mëkatet tona dhe na ndihmo të rritemi në besim dhe njohjen tënde.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »