Imzot Dodë Gjergji të rinjve gjermanë: Faleminderit që jeni shembull për rininë dhe shoqërinë!

Aug 7 • Kisha në Kosovë

20 vite të ndihmës dhe vizitave në Kosovë të vullnetarëve gjerman të Junge Leute Helfen

 

Grupi i 55 gjermanëve, vullnetarë të Junge Leute Helfen (shq. Të Rinjtë Ndihmojnë), kanë vizituar Kosovën në periudhën 31 korrik – 4 gusht 2019. Për 20 vite me radhë kjo organizatë krejtësisht vullnetare grumbullon gjëra humanitare dhe të njëjtat i dërgojnë në Kosovë dhe në tërë Ballkanin, për familjet në nevojë.

Për çdo vit grupe të ndryshme të rinjsh nga Bavaria vizitojnë Kosovën dhe rajonin për tu njoftuar më për së afërmi me situatën sociale-ekonomike dhe kulturore. Ky grup i përcjellë nga vullnetarët dhe stafi i Caritas Kosova kanë zhvilluar vizita në familjet në nevojë në Ferizaj, Klinë, Mitrovicë dhe Viti, të cilave u janë shpërndarë edhe pako ushqimore.

Ky grup i kushton rëndësi të veçantë aspektit shpirtëror, ku në mënyrë të organizuar është vizituar Shenjtërorja Letnicës dhe është mbajtur meditim dhe adhurim me të rinjtë e famullisë së Ferizajit.

Vizita është përmbyllur me meshën e shenjtë, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre në këto 20 vite, në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, e prirë nga ipeshkvi i Dioqezës sonë,  Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me drejtorin e Caritas-it, Don Viktos Sopi, p. Ludvig Estermeier e meshtarët e Prishtinës. E gjithë mesha ishte e animuar me këngët e bukura të grupit të të rinjve.

Imzot Dodë Gjergji gjatë homelisë së tij ndër të tjera tha: “I nderuar drejtor i Caritas, Don Viktor Sopi, të rinj e të reja nga Gjermania, të përcjell nga meshtari i juaj, p. Ludvig, të cilët që 20 vjet ndihmojnë njerëzit në nevojë, që atëherë kur ne ishim njerëz me nevoja të mëdha.

Sot jemi të gjithë së bashku, për ta falënderuar Zotin për dhuratën e fesë, sepse kjo na shtyn të kuptojmë më mirë jetën, përgjegjësinë tonë në botë dhe të mirat që Zoti na i ka dhënë. Pa fe, ne nuk mbërrijmë t’i japim kuptim gjitha këtyre gjërave.

Pse një i ri sot do të angazhohet për të grumbulluar mjete, ndihma për të tjerët, kur sot një i ri ka një milion ëndrra tjera për kënaqësi, të cilat i ofron bota e koha. Ky i ri dhe e re i bën këto, sepse ka fe! Kjo fe shpërthen një zjarr dashurie që është brenda zemrës së njeriut. Ky njeri i fesë e kupton shumë mirë leximin e parë nga libri i Kishtarit, që liturgjia e fjalës së sotme na e dhuron: ne nuk mendojmë se gjithçka është kot, ia vlen të sakrifikosh, ne nuk mendojmë se është kot të humbësh kohë për të tjerët, kur shpesh nuk të del koha për vete.  Ia vlen ta dhurosh kohën, jo ta humbësh, sepse koha nuk humb, kur i dhurohet tjetrit. Me këtë zemër, mund të kuptojmë edhe mësimin e Shën Palit, që sot e dëgjuam: mos kërkoni gjërat që janë poshtë, por me dashuri e fe t’i përdorim gjerat e kësaj bote për të mirën e atyre që kanë nevojë, ato gjëra që na lartësojnë.

Ne jetojmë në një kohë kur duhet të ndahemi me njëri-tjetrin, ashtu si kemi dëgjua në ungjillin e Lukës. Një njeri i kërkon Jezusit që vëllai i tij ta ndaj pasurinë e trashëguar me të. Nganjëherë edhe ne mendojmë si të ndahemi prej të tjerëve, që mos të kemi përgjegjësi ndaj tyre. Jo rrallë bashkohemi me të tjerët, vetëm për të pasur dobi e për të mirën tonë.

Vëllezër e motra në Krishtin, shumë të rinj sot mendojnë se pasuria, fama, pushteti, janë rruga që duhet ndjekur, e për t’i mbërri ato ia vlen të sakrifikosh gjithçka. Por mjerisht, po shohim se kjo është një rrugë pa krye, sepse e krijon një elitë politike, e cila nuk kupton cila është përgjegjësia për vendin, për shoqërinë, për njeriun. E kemi parë se është një rrugë pa krye, sepse e shpartallon familjen, miqtë, shpërndan e përçan. E kemi parë se është rrugë pa krye, sepse të rinjtë duke u munduar të gjejnë idealet e përkohshme të botës, që i ofron dhe i mbështet shoqëria sot, ata ngelin nëpër bastore, lojëra fati, t’u mendua se ndoshta atje do të gjejë ndonjë mundësi. Ata përdorin drogë, e shkatërrojnë të ardhmen e tyre, thyejnë zemrën e prindërve, e bëjnë një shoqëri krejt të papranueshme, jo vetëm për Zotin, por të papranueshme për çdo njeri, i cili thjeshtë dëshiron të sheh të mirën e vet, të mirën e shoqërisë, të mirë e botës.

Sot, dua të falënderoj Zotin për shembullin e këtyre të rinjve gjermanë që janë këtu, e të rinjve tanë, të vendit tonë, që përpiqen ta refuzojnë, me shembullin e jetës së tyre, të gjitha këto dukuri negative, e angazhohen që t’i japin kuptim jetës së tyre, sipas mësimit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Ai është mësuesi më i miri. Dua të falënderoj Zotin edhe për gjithë punën e këtyre të rinjve që e kanë bërë për ata që kanë nevojë në vendin tonë.”

Në mbarim të meshës solemne u ndan mirënjohje me dhuratë simbolike nga drejtori i Caritas Kosova, Don Viktor Sop, harta e Republikës së Kosovës e punuar me gur, që simbolizojnë qëndresën martire shumë shekullore të shumë gjeneratave gjatë historisë për koordinatorin e palodhur me aq përkushtim në shërbim për dy dekada z. Hubert Zeltsperger dhe p. Ludvig Estermeier Pas meshës është organizuar dreka në ambientet e Bogdanipolis.

Gjatë drekës solemne ku prezent ishin prezent rrethe 120 te rinj u krijua nje ambient i ngazëllyem dhe falënderues nga CK, veçantë ndaj ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji, i cili këtë ditë e kushtojë në shenjë falënderim për të rinjtë bavarezë.

Caritas Kosova, në emër të familjeve në nevojë, falënderon z. Hubert Zeltsperger dhe të gjithë vullnetarët e Junge Leute Helfen që për këto 20 vite kanë përkrahur të varfrit në Kosovë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »