JUBILE: 50 vjetori i pranisë së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në Kosovë

Aug 8 • Kisha në Kosovë

Sivjet mbushen 50 vjet, kur për herë të parë Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer – Provinca e Malit të Zi – patën filluar veprimtarinë e karizmës së tyre në Kosovë, pikërisht në Famullinë e Velezhës, më 18 shtator 1969, me kërkesën e famullitarit të atëhershëm Don Damjan Kurti.

Jubileun e artë të pranisë së tyre, Motrat e kanë shënuar me dy ngjarje të bukura të organizuara në Famullinë e Velezhës, të hënën, më 5 gusht 2019: a) promovimin e librit “50 vjet dëshmi” të autores M. Shpresa Kabashi dhe b) meshën e shenjtë.

 

Promovimi i librit

Promovimi i librit, i cili filloi në ora 17:30, në Kishën e Shën Nikollit, u bë nga M. Ollga Dulaj, françeskane, dhe P. Anton Nua, françeskan. Derisa M. Ollga bëri një paraqitje të librit gjerësisht (lexo të plotë) dh P. Antoni u përqendrua mbi veprimtarinë e motrave, i cili theksoi se ardhja e motrave nëpër famullitë e Dioqezës në atë kohë, kishte ndihmuar dukshëm në rritjen e kualitetit të pastoralit, në mënyrë të veçantë të pastoralit familjar – veprimtaria e tyre me gra, vajza dhe fëmijë – liturgjisë dhe katekizmit.

 

Mesha e shenjtë

Pas promovimit, u kremtua mesha e shenjtë në Kishën Famullitare të Shën Nikollës, të cilës i priu Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në bashkëmeshim me Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, Imzot Hil Kabashi, administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut në pension, meshtarët e kësaj famullie dhe të tjerë, në mënyrë të veçantë famullitarë ku shërbejnë motrat françeskane. Të pranishme në meshë ishin edhe motra të kongregatave të tjera dhe besimtarë të famullisë. Ishin të pranishme Eprorja Gjenerale nga Grazi i Austrisë, M. Petra Rosenberger, eprore gjenerale,
m. Loreta Lekaj, vikare gjenerale, m. Anna Rautar sekretare gjenerale, m. Hermina Nemšak, eprore e Vikariatit të Sllovenisë si edhe shumë motra, bija të famullisë së Velezhës dhe motra të ardhura nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova.

Imzot Dodë Gjergji, në homelinë e tij, pasi i përshëndeti të gjithë motrat dhe duke ju uruar për këtë prani gjysmëshekullore të tyre, e çmoi veprimtarinë e motrave në jetën e kishës në Kosovë, duke i konsideruar pasuri për Kishën në Kosovë. Motrat janë ato – tha ipeshkvi – që me shërbimin e tyre të përvujtë e bëjnë kishën më të bukur, kultin hyjnor më të gëzueshëm, jetën e famullitarit më të dinjitetshme, kurse bashkësinë më të hareshme. Këto shërbime të çmueshme të motrave në Kishë, le të jenë të kryera me gëzim, që të dëshmojnë karizmen e tyre edhe sot e tutje, si një këtë mision fisnik e të shenjtë.

Motra Lidia, provincialja e Provincës së Malit të Zi, Celinë, motrat e të cilës shërbejnë në Kosovë, në fund të meshës falënderoi për këtë organizim të bukur në famullinë e Velezhës, në vendin ku kanë filluar motrat për herë të parë veprimtarinë e tyre, së pari ipeshkvin, Mons. Dodë Gjergjin, famullitarin e Velezhës Don Mikel Sopi, dhe të gjithë motrat, e angazhuara për këtë jubile. Në fjalimin e saj vlerësoi lartë motrat e para, të cilat e nisën një aventurë dashurie dhe shërbimi të motrave në Kosovë, që deri tani është një histori hiri e dëshmie gjysmëshekullore, që ka sjell fryte të mëdha, si një thirrje të reja ashtu edhe në formimin e shumë vajzave dhe djemve në mësimin e ungjillit.

Pas meshe, në kishë u prezantua një dokumentar tridhjetë minutash mbi historinë dhe veprimtarinë e Motrave në Kosovë, që nga fillimi e deri në ditët e sotme.

Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer sot shërbejnë në këto vende: Velezhë, Novosellë, Bishtazhin, Zym, Budisalc, Pjetërshan, Prizren (Tranzit), Gjakovë dhe  Prishtinë, dhe puna e tyre kryesisht është e përqendruar në Famulli, përveç motrave në Shkollën Loyola në Tranzit (Prizren), Kopshtit të fëmijëve në Gjakovë.

Ky manifestim i jubileut të artë të pranisë së motrave në Kosovë u përmbyll me një darkë të përbashkët, e cila u shoqërua me një program artistik të fëmijëve të famullisë së Velezhës./drita.info  

Shpërndaje

Comments are closed.

« »