LIBRI: 50 vjet dëshmi  – Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer në Kosovë

Aug 8 • Kulturë, Recension

(M. Shpresa Kabashi, 50 vjet dëshmi. Motrat Françeskane të Zojës së Papërlyer, Provinca e Malit të Zi, Cetinë 2019, f. 203)

 

Nga M. Ollga Dulaj

 

Ky jubile është edhe një rast për falënderim ndaj Hyjit për këtë histori e cila është hapësirë kohore që na afron, sepse iu është kushtuar Jezu Krishtit, që është burimi, qendra dhe qëllimi i jetës tonë. Prania e Jezusit – Zotërues dhe Shenjtërues i kohërave, në këtë bashkësi, pandërprerë e begaton atë me hire, i jep zemër që të dalë vazhdimisht, të shpall në thjeshtësi me dëshmi. Këtë dalje drejt popullit, drejt periferive ekzistenciale (siç na fton Papa Francesku) e njohim në pothuajse secilën faqe të librit që kemi në dorë: pra, në mesin e  njerëzve te sëmurë, të varfër, të uritur për Fjalën e Zotit e mësimin e Kishës… Ky shtegtim gjysmëshekullor i motrave Françeskane me Kishën në Kosovë, është një ftesë e re për kujtesë të së kaluarës, na bashkon në jetësim të së tashmes e na jep shpresë që shikimin ta kemi drejt të ardhmes. E falënderojmë Zotin, edhe për këtë përkëdhelje atërore!

Dalja e vazhdueshme drejt njeriut dhe shoqërisë, duke pasur parasysh nevojat, rrethanat, kërkesat e kohës i karakterizon Motrat Françeskane të Zojës se Papërlyer, që nga fillimi duke e përtërirë atë nga themeli: pra edukimi dhe arsimimi i vajzave të varfra,  me vizion të qartë, se të edukosh një vajzë ke edukuar një familje dhe kështu edukohet shoqëria. Kujtojmë se kjo Kongregatë është themeluar më së një shekull para se të ndodhë Koncili II i Vatikanit dhe se i njëjti Shpirt profetik e udhëheqë, e frymëzon dhe e gjallëron këtë bashkësi dhe sot, më së gjysmë shekulli pas Koncilit. Në këtë kontekst, vështrohet edhe vet Provinca jonë e cila është e hapur ndaj Kishës për të dalë bashkë me të në botën që e rrethon, duke lexuar vazhdimisht shenjat e kohës dhe duke iu përgjigjur nevojave, që ndryshojnë nëpër kohë dhe rrethana. Është pra, eklezialiteti karakteristike që e vulosë atë qysh prej themelimit të saj… Që atëherë, i jemi besnike Ungjillit dhe Karizmes që në themel ka: Të jetojmë në mesin e njerëzve në lidhshmëri të pandërprerë me Zotin  dhe t’u shërbejmë atyre duke qenë si mjete në dorën e Hyjit; Të jemi të vogla dhe të përvujta në mënyrë që Hyji të na merr në duart e Tija të plotfuqishme dhe Ai të veprojë nëpër ne; Të jemi të gatshme, për atë që Kisha ka nevojë për ne, aq sa është në mundësitë tona.

Prandaj, Provinca e Malit te Zi, në fillimet e saj, pra në Mal të Zi nëpërmjet veprimtarisë në shëndetësi, shërbimeve karitative e sociale ku përkundër rrethanave fetare dhe shoqëroro-politike, me dëshminë e tyre, edhe në shërbimin baritor, sot e kësaj dite, është njëmend kripë dhe dritë, për atë vend dhe shoqëri, duke e paraqitur fytyrën e ndritur dhe vazhdimisht të re të Kishës se Krishtit.

Në këtë frymë, libri që kemi në dorë, pasi të na ketë udhëzuar në domethënien dhe origjinën e jetës rregulltare, vazhdon me paraqitjen e karizmës së Themelueses tonë, shërbëtores së Hyjit, Nënës Franciska Antonia Lampel, nga themelimi i Kongregatës në Graz të Austrisë dhe rritjen e zhvillimin e saj nëpër provinca e regjione.

Me përkushtim përshkon Provincën e Malit të Zi, në prehrin i së cilës rriten e dalin motrat që veprojnë në Kosovë tash 50 vite, që autorja e paraqit në pjesën dërmuese të librit. Vendosja e ngjarjeve në kontekstin historik dhe në rrethanat shoqëroro-kishtare, kërkimet që ajo bën nëpër arkiva, kronika, si dhe bisedat e ndryshme me besimtarë nëpër famulli, të radhitura me zell dhe kujdes ngjarjet, veprimtaritë, përjetimet, dëshmitë… është dëshmi në vete.

Diversiteti në vet bashkësinë dhe spektri i gjere i veprimtarisë  flet për gatishmëri shërbimi. Një ndër begatitë me të cilat Hyji e ka pajisur këtë Provincë është edhe shumëkombësia, pra motrat janë: shqiptare, sllovene, kroate dhe vijnë nga vende të ndryshme, si: Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. A nuk na mëson Shkrimi: “Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s′mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli e gjuhe!” (Zb 7, 9)? Ajo dërgoi bijat e sajnë Kosovë jo vetëm shqiptare, por edhe sllovene e kroate, të cilat ishin ndër të parat që filluan këtë mision. Motrat, u mirëpritën nga populli mikpritëse bujar në Kosovë, pavarësisht se prej nga vinin dhe cilit komb i takonin. Ai shpejt e përnjohu  madhështinë e thjeshtësisë se tyre dhe shërbimin me përkushtim.

Libri 50 VJET DESHMI si një ndër frytet e ecjes së Hyjit me motrat, shpalos kujtime e përjetime të gdhendura thellë në zemrat që e përjetojnë praninë e tyre, dëshmia e të cilave lë gjurmë. Nga  përshkrimet si të motrave, ashtu të besimtareve laike, bie ne sy: thjeshtësia, vështirësitë për punë që kanë ndikuar shumë faktorë (si psh. Koha e komunizmit, varfëria, mungesa e mjeteve për komunikim…), por në anën tjetër, bashkëpunimi, besimi i ndërsjellë, kontaktet personale, gëzimet e përbashkëta… qofshin edhe në detajet më të imta… (vazhdimisht takohemi me fjalët e popullit: Kisha pa motra asht e thate…, pastaj: mos na lashte Zoti pa motra… nga motra kam mësuar…  e te ngjashme); bekimi është fjalë e përbashkët e lutjes se ndërsjellë e kosovareve për motrat dhe e motrave për të gjithë ata që i takojnë, me shikim të përbashkët kah Qielli, prej nga vjen çdo bekim, sikurse thotë Shkrimi: Ti vet do te jesh bekim!

Ato pra, erdhën në Kosovë dhe qëndrojnë me njeriun nevojtar në lutjet e përbashkëta, me këshillë të mirë që e ndriçon në ngushticë e i hap shtigje të reja të jetës…

Gërshetohen prandaj ngjarjet dhe kapitujt në libër, jo vetëm në mënyrë thjesht kronologjike, por edhe për faktin se përshkruajnë kujtimet e gjalla, jetën në Kishë me popullin e Zotit. Zelli i tyre për punë në Vreshtin e Zotit, të vetëdijshme se para së gjithash ky është hir i madh, vazhdimisht përtërihet në jehonën e fjalëve të Shën Françeskut: “Vëllezër, dëshiroj që të gjithëve t’ju dërgoj në Parriz”. Secila faqe e këtij libri përshkohet nga ky realitet, i shënuar si kronikë, kujtuar me nostalgji për te kaluarën dhe njëherit dëshirë që të zgjasë…

Duke parafrazuar fjalët e Papa Françeskut, mund të themi se Motrave Françeskane, edhe ne Kosovë u vjen era popull. E kjo është shpresëdhënëse dhe ftese e vazhdueshme në shërbimin baritor.

Përjetimi i gëzimit të të qenurit bashkë me motrat në festa e në të përditshmen në famulli, lartëson shpirtin e besimtarit dhe e ndihmon atë që në Kishë të ndjehet, ashtu si i takon: në shtëpi të vet… U bënë pishtare të dritës së Fesë në zemrat e njerëzve në këtë nënqiell, duke qenë vet të shndritura nga Krishti – Drita e botës. Në identitetin e motrës Françeskane njeriu në Kosovë sheh Kishën, sheh shenjën e Zotit. Me dashurinë vetëmohuese të tyre, sipas mësimit të Krishtit: “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jetë e vetme. Po qe se vdes, jep shumë fryt” (Gjn 12,24), sollën një cep Qielli në tokë, e bënë që ky popull të shijojë  të mirat e Mbretërisë, qysh tash. Kremtojmë, prandaj për hiret që Shpirti Shenjt reshi vazhdimisht për t′u bërë vepër fjala e Jezusit: “Ju jeni drita e botës! Ju jeni kripa e botës!”(Mt5, 13-14).

Me gëzim pohoj se Motrat Françeskane në Kosovë gëzojnë respekt të veçantë, populli i do(n) dhe kërkon t′i ketë të pranishme në mesin e tyre, iu besohet shumë dhe i ndjek gjurmët e tyre me shpresë të gjallë se i çojnë drejt Hyjit; Hiret e shumta prej së larti me falënderim i pranuan, e frytet nuk na i mungoi Zoti. Sot ato shërbejnë në Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri, Kroaci, Austri, Gjermani, Zvicër, SHBA e në misione–Afrikë dhe Francë.

Shumëkush Kosovën e quan “fidanishte të thirrjeve shpirtërore”. Me të drejtë! Një ndër treguesit besnik për këtë është edhe numri i bukur i thirrjeve shpirtërore: nga ky popull(vetëm) në Provincën janë 85 motra dhe 2 kanë kaluar në amshim….  Ky fakt është dhuratë, përgjegjësi dhe sfidë që mbetet për gjeneratat e reja.

Përkulemi para Provanisë së shenjtë që na frymëzon dhe na udhëheqë në çdo kohë! E bekojmë Zotin për praninë e secilës motër në Kosovë duke i kujtuar me respekt të veçantë ato që kanë kaluar para nesh në amshim, me bindje në fe se gëzojnë lumninë e Qiellit. Bëftë Zoti, që dëshmia e Motrave Françeskane tç Zojës së Papërlyer të mbetet gjithmonë një libër i hapur!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »