Mirëpritja e Zotit i tejkalon pritjet tona

Aug 11 • Meditimi i ditës

11 gusht 2019 – E diela 19-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Urt 18,6-9; Ps 33,1.12.18-20.22; Heb 11,1-2.8-19; Lk 12,32-48)

 

Prania e Hyjit
“Besoj në një Zot të vetëm, Atin e Gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit dhe të tokës.” Ndërsa po e filloj këtë lutje sot, a mund të bashkohem me këtë shprehje të fortë, pothuajse të jashtëzakonshme të besimit? A mund të filloj duke e shpallur besimin tim në Hyjin tim, krijuesin tim, Atin tim qiellor?

 

Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Dëgjo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

– – –

Heb 11,1-2.8-19

 

1 Feja është një mënyrë të pasuri të gjërave që shpresohen, mjet që të njihen gjërat që nuk shihen. 2 Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.

8 Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e la vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. 9 Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, 10 sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.

11 Me anë të fesë – edhe vetë Sara beronjë – fitoi mundësinë të bëhej nënë – megjithëse i kishte kaluar mosha – sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. 12 Këndej, prej një njeriu – dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.

13 Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. 14 Vërtet, ata që flasin kështu, dëftojnë qartë se kërkojnë atdheun. 15 Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. 16 Por, tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë – domethënë atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.

17 Me anë të fesë, Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, 18 të cilit i qe thënë: »Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut«, 19 plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi – dhe qe një shëmbëlltyrë.

– – –

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në javët e mëparshme, e kemi ndjekur historinë e Abrahamit dhe Sarës. Mendo vetëm një çast se si do të mund të ketë qenë kur Abrahami dhe Sara, në këtë fazë të jetës së tyre, u nisën, duke mos ditur se ku po shkonin, por duke jetuar në besim?
  • A mund të shohësh paralelen në jetën tënde kur je thirrur të çohesh nga zona jote e rehatisë? Si ishte kjo për ty?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri këtë fragment biblik, dhe dëgjon për këtë çift të vjetër duke rrezikuar gjithçka për të ndjekur nxitjen e Perëndisë, a mund ta imagjinosh se çfarë përvoje besimi duhet të ketë qenë?

 

Bashkëbisedimi

Imagjinoji kohërat kur ishe i/e zgjuar shpirtërisht. Kohërat kur i kushtoje vëmendje gjërave dhe ishe i/e gatshëm/e t`i mirëpritje njerëzit ose të ndryshoje. Jezusi duket se synon këtë lloj mentaliteti, këtë lloj zemre që mbetet e zgjuar – vigjilente dhe e gatshme për frymëzimet e reja të Shpirtit në jetën tonë, për Hyjin që krijon një hir ose dhuratë të re për ne.

Nganjëherë Hyji na thërret të shkojmë diku në të panjohurën, nganjëherë të qëndrojmë aty ku jemi. Çfarë po kërkohet prej teje në këtë kohë të jetës sate?

Çfarë hiri të nevojitet për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje? Kërkoja Zotit atë hir.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ti kërkon prej nesh të mos kemi frikë për të ardhmen, por të  besojmë në Atin që na do. Gjërat materiale, ajo çka kemi dhe paraja, nuk guxon të sundojë mbi ne. Ftesa Jote që na drejtohet ne është që të rrimë zgjuar dhe të gatshëm kur vjen. Dhe ajo çfarë na pret është Mirëpritja e Atit e cila i tejkalon të gjitha gjërat që do të mund t`i prisnim.

O Zot, si mund të të falënderojmë fare për kujdesin tënd, dashurinë tënde të pakusht? Ti na pranon plotësisht dhe dëshira e jote është që të kemi hirin tënd me bollëk. Na ndihmo që të realizojmë gjithçka që mundemi, sepse Shpirti yt banon në ne. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »