Respektimi i autoriteteve civile dhe fetare
12 gusht 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Lp 10,12-22; Ps 147,12-15.19-20; Mt 17,22-27)
Prania e Hyjit
Kur jam i/e grishur të rri me mikun,
mezi pres të takohem dhe e ndiej veten se më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në afërsinë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.
Me besim dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën ndaj Hyjit,
Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të dashurisë me plot harmoni.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur
dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.
– – –
Mt 17, 22-27
22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha:
“S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve 23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”
Ata u pikëlluan së tepërmi.
24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë:
“A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”
25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri.
Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara:
“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”
26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”. 27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”
– – –
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Nxënësit assesi nuk mund të përballeshin me lajmin për vuajtjet e Jezusit. Vuajtja edhe ne na destabilizon. Nuk mund ta kuptojmë atë plotësisht, prandaj kemi nevojë për të qëndruar afër Jezusit, përndryshe do të humbasim. Jezusi në mënyrë të thellë dhe dinjitoze i jep vuajtjes kuptim që nuk mund ta kuptojmë, përveçse në besim.
- Jezusi e pagoi borxhin e vet. E respektonte autoritetin, civil apo fetar, edhe pse nuk pajtohej me të. Ushqim për të menduar.
- O Jezus, na ndihmo që t`i përgjigjemi nxitjeve të Shpirtit Shenjt, ndërsa kërkojmë të jetojmë në një mënyrë që i jep dinjitet të gjithëve që udhëtojnë me ne. Le t’u japim atyre një shembull të mirë, dhe të përpiqemi që mos t`i lëndojmë.
Bashkëbisedimi
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Kisha Katolike uron Bashkësinë Islame për Kurban Bajramin Shugurimi diakonal i Don Samuel Ramaj »