Shugurimi diakonal i Don Samuel Ramaj

Aug 12 • Kisha në Kosovë

Dioqezës Prizren-Prishtinë iu shtua edhe një diakon: Don Samuel Ramaj, nga Famullia e Shën Jozefit në Stubëll të Epërme.

Ky gëzim i dioqezës sonë u kremtua të enjten, më 8 gusht 2019, në ora 11:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në meshën e shenjtë të kryesuar nga Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv, në bashkëmeshim me Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës, Don Leonardo Falco, rektor i seminarit ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, edukatorë të tjerë e meshtarë të dioqezës sonë. Të pranishëm ishin edhe murgesha të kongregatave të ndryshme, seminaristë, familjarë të diakonit të ri e miq.

Imzot Dodë Gjergji, në predikimin e tij, ndër të tjera, tha: “Sot, së bashkë me tërë kishën, e festojmë shenjtin e madh, Shën Dominikun, predikatarin e madh, bijtë e të cilit kanë shërbyer edhe në trojet tona.

Ne të gjithë jemi bijtë e Hyjit të gjallë. Të gjithë duhet të shkëlqejmë me dritën e brendshme të cilën e ka ndezur Jezus në Ditën e Rrëshajëve, me zjarrin e dashurisë së Shpirtit Shenjt. Shpirti i Zotit është një zjarr, i cili ndez në të gjithë ata që besojnë dashurinë. Prandaj, ne e quajmë zjarri i dashurisë. Ky zjarr dhuron dritë, e bëhet shpresë e lume e atyre që besojnë.

Vëllezër e motra fort të dashur, kur po bisedoja me Samuelin për të caktuar datën e shugurimit të tij për diakon, atëherë i propozova që atë ta bëjmë në ditën e emrit tim, në ditën e Shën Dominikut, për të bashkëndarë gëzimin e kremtimit të përbashkët si bashkësi e krishterë. Sepse gëzimi i të krishterëve bashkëndahet me të tjerët. Shembull më të mirë e kemi Marinë, e cila kur e mori lajmin e gëzueshëm, me nxitim shkoi te kushërira e saj, Elizabeta, për ta bashkëndarë me të. Gëzimi i krishterë është shpërthyes, vullkanik, që derdhet në zemrat e të tjerëve.

Për të ardhur deri te shugurimi diakonal, duhet të bëhet një proces i gjatë. Samueli e ka kaluar këtë proces, nga familja e vet ku është rritur e pastaj në seminarin e Shkodrës ku është formue, pjekë, e tani në këtë kishë, në të cilën do të shugurohet: janë shumë vite, mundë, kujdes e vëzhgim i kishës mbi të, dëshmi për gatishmërinë e tij për t’u shugurua. Sot, Samueli po e pranon shkallën e parë të meshtarisë. Dhe pasi të kryej këtë përvojë diakronale, do të shugurohet meshtar.

Cila është detyra primare e diakonit në Kishë?

Diakoni, me shugurim, vihet në shërbim për tri gjërat e rëndësishme të kishës: a) në shërbim të liturgjisë dhe pjesëmarrjes aktive në ushtrimin e kultit hyjnor të kishës, pastaj b) në shërimin e Fjalës, jo vetëm për ta lexuar e kumtuar besimtarëve Shkrimin e shenjtë, por edhe të predikimit të saj, dhe c) në shërbimin e dashurisë vepruese të Kishës, që ne e quajmë caritas, si shërbim për ata që kanë nevojë e kështu bëhet dora e zgjatur e kishës te zemrat që vuajnë.

Diakoni me shërbimin e tij bëhet pjesë aktive baritore brenda Kishës. Prandaj, Kisha nëpërmjet kësaj shërbese diakonale, i rri afër njeriut në nevojë, e ngrit zërin në kumtimin e lajmit të gëzueshëm dhe e kremton më bukur kultin hyjnor.

Sot, dua t’ia them Samuelit tri fjalë, pasi ky sot, po i bashkohet shërbesës baritore të Kishës sonë:

a) Të ftoj të jetosh si një fëmijë, të veprosh si fëmijë, me zemër të pafajshme, me dashuri të sinqertë. Si fëmijë të vraposh për të përqafuar edhe të panjohurit, si fëmijë edhe të qash, të hidhërohesh… sepse ta kesh zemrën e fëmijës, do të thotë të jesh bir i Hyjit. Vepro si fëmijë, pa marr parasysh se çfarë do të mendojë bota, pa marrë parasysh si do të gjykojnë të tjerët, sepse ne jemi njerëz konkret, me të gjitha dhuntitë e mangësitë që i kemi si njerëz.

b) Të uroj të veprosh brenda kishës si bari, i cili kujdeset për tëtë jetën e grigjës, t’u e kryer detyrën dhe përgjegjësinë pa përtesë në të gjitha përmasat e saja. Siç thotë Papa Françesku – nuk duhet të na vije turp të na vije era bari, era e grigjës.

c) Të ftoj të marrës vendime si burrë. Si një burrë shqiptar, i cili di kur duhet me thanë po e kur duhet me thanë jo. Kur duhet me veprua, e kur duhet me u ndal e me vëzhgua. Të jesh burrë i ndershëm, i mençur, i fortë, trim. Koha e lyp këtë dhe njeriu i ynë e lyp këtë gjë.”

Mesha e shenjtë u animua me këngët e kënduara nga kori i famullisë së Stubllës dhe u transmetua nga Radio Maria Kosovë, nëpërmjet valëve të të cilës kanë mundur ta ndjekin edhe ata të cilët nuk kanë mundur të marrin pjesë fizikisht në këtë gëzim të kishës sonë dioeqezane./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »