Zoja – gruaja e përvujtur që ndryshoi njerëzimin

Aug 15 • Meditimi i ditës

15 gusht 2019 – E enjte, Ngritja e Zojës në Qiell, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 11, 19a; 12,1-6a.10ab; Ps 45,10b-12b.16; 1Kor 15,20-27a; Lk 1,39-56)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

afër meje, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj,

në çdo rrethanë të përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Janë pak vetë që e kuptojnë

ç`do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin shenjtërues: t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë të shembura, disa të ndërprera:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

– – –

Lk 1, 39-56

 

39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.

41 Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:

“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”

46 Atëherë Maria tha:

“Shpirti im e madhëron Zotin,

47 shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

48 sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvuajtur:

ja, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

49 sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm

‑ i shenjtë është Emri i tij!

50 Mëshira e tij brezni më brezni

për ata që e druajnë.

51 E tregoi fuqinë e krahut të vet:

i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

52 i rrëzoi princat prej froneve të tyre

e i lartësoi të përvuajturit.

53 Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë

e të pasurit i nisi duarthatë.

54 I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

duke e sjellë në mend mëshirën

55 ‑ si ua pati premtuar etërve tanë ‑

në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve

të tij në amshim.”

56 Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj e atëherë u kthye në shtëpinë e vet.

– – –

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Maria dhe Elizabeta janë shpirtra të afërm lidhura me një lidhje që shkon përtej çdo fjale. Një miqësi e tillë është një dhuratë nga Hyji dhe, si me çdo bekim, kërkon mirënjohje lutje. Do t`ia përkujtoj  vetes përvojat e mia më të mira të miqësisë dhe do t`ua lejojë të më flasin se kush është Hyji dhe çka më thërret Hyji bëhem.
  • Festa e Ngritjes së Zojës në qiell e pranon që Maria plotësisht i është përgjigjur thirrjes së Zotit. Kjo festë më fton të mendoj se çkapengon ende Hyjit s`po mundem plotësisht t`i dorëzohem dhe e lus për ndihmën e tij.
  • Ka raste në jetën tonë kur, si kjo nënë që është duke pritur fëmijën, e dimë se jemi të bekuar. Nganjëherë kjo mund të jetë një realizim gradual në rrethana të vështira. Papa Françesku fillon kështu me Gëzimi i ungjillit: “Gëzimi i ungjillit i mbush zemrat dhe jetën e të gjithë atyre që e takojnë Jezusin. Ata që pranojnë ftesën e tij të shpëtimit, lirohen nga mëkati, trishtimi, zbrazëtia e brendshme dhe vetmia.” … Gjatë kohës që e dëgjoj sërish pjesën e ungjillit e marr para sysh atë çka shton papa Françesku: “Unë e kuptoj trishtimin e njerëzve që iu është dashur të duronin vuajtje të rënda, megjithatë, ngadalë por me siguri të gjithë duhet të lejojmë që gëzimi i fesë të ringjallë ngadalë një besim të qetë por të sigurt, madje edhe në trishtim të madh.”

 

Bashkëbisedimi

Maria ishte një grua e besimit. Elizabeta e lavdëron, jo pse e ngjizi Krishtin, por për arsye se ajo u besoi fjalëve të engjëllit. T`i drejtohemi asaj duke e lutur për një besim të fortë që na nevojitet në kohë të trazuara. Zoti mund të bëjë atë që për ne është e paimagjinueshme.

Maria ia kalon këtë lavdi Hyjit. Nuk ka përvujtëri false këtu – vetëm njohje të së vërtetës. Zoti është krijues/fillestari i çdo gjëje të mirë në jetën time. Ndalu te kjo dhe mendo mirë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot, më ndihmo ta bëj vullnetin tënd me gëzim dhe pa frikë. Thirrjes sate dëshiroj t`i përgjigjem me “Po!” ngazëlluese, i/e sigurt që, ndërsa jam duke ecur drejt së panjohurës, udhëtimi im do të shoqërohet nga prania jote transformuese. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »