E vërteta djeg dhe pastron

E diela XX gjatë viti – viti C

 

Leximi i parë   Jer 38, 4-6.8-10

Të gjithë profetët e djeshëm dhe të sotëm kanë kuptuar duke provuar në kurrizin e tyre se e vërteta vret armiqtë e saj. Kështu janë eliminuar profetët, shpesh në bazë të preteksteve të rreme: Jezusi u vra sepse akuzohej si mik i Çezarit, Zhana d’Ark sepse vishte pantallona. Të gjithë janë dënuar sepse krijojnë ndarje mes popullit dhe shpallin të vërtetën e Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Atëherë paria i thanë mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua tret guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk e kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.” Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duar tuaja; mbreti s’ka sesi t’ju mohojë ndonjë send, sepse edhe ashtu s’ka kurrfarë pushteti në dorë!” Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litar. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë. Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha: “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka që kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!” Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   40

 

Ref: Eja shpejt, o Zot, e më shpëto

——————————————–

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin,

dhe ai u prir drejt meje, e vështroi britmën time.

Ai më nxori nga gropa e mjerimit,

nga gropa plot baltë,

këmbët m’i qiti mbi shkëmb

dhe m’i bëri të fortë hapat.

——————————————–

Në gojë më vuri një këngë të re,

himnin e Zotit, Hyjit tonë.

Shumë do të shohin e do të druajnë,

dhe do të shpresojnë në Zotin.

——————————————–

 

Leximi i dytë   Heb 12, 1-4

Jeta e krishterë është e krahasuar me një garë të lodhshme dhe çdo pjesëmarrës e di se për të arritur në fund duhet një sforcim i madh. Ashtu si dëshmitarët e mëdhenj të së kaluarës, edhe të krishterët duhet të drejtojnë shikimin drejt pikës përfundimtare, të vetëdijshëm për dobësinë e tyre dhe duke vrapuar, pa u kushtëzuar nga mëkati, në rrugën e besimit në takimin me Krishtin.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, të rrethuar me një mori kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenji në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra. Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Hape, o Zot, zemrën tonë, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 12, 49-57

Jezusi është në ecje drejt Jerusalemit dhe flet për domethënien e misionit të tij:“erdha të sjell zjarrin mbi tokë”. Jezusi që nga fillimi i jetës së tij publike predikon ardhjen e gjykimit të Hyjit: është afër kriza e madhe që do të shkatërrojë botën e pranishme që të rilindë një botë e re. Në gjykimin e Hyjit që po afron, Jezusi nuk do të jetë gjykatësi që dënon, por vëllai që shpëton. Çdo njeri duhet të zgjedhë: disa do të qëndrojnë të mbyllur në normat e vjetra dhe të tjerët do të pranojnë ripërtëritjen në besnikërinë ndaj Krishtit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë, e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet! A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: i ati do të zihet me djalë, e djali me t’atin, nëna me të bijën, e bija me t’ëmën, vjehrra me të renë e reja me të vjehrrën.” Mandej iu drejtua turmës: “Kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: ‘Do të bjerë shi!’, dhe ashtu ndodh. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: ‘Do të jetë vapë’, dhe bën vapë. Shtiracakë! Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini!? Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç’është e drejtë?” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Kush do t’i qëndrojë besnik Hyjit e të vërtetës duhet të jetojë deri në fund vuajtjet e persekutimit.

Kam ardhur të sjell zjarrin mbi tokë”. Jezusi është sjellësi i zjarrit të Hyjit në botë. Ardhja e tij si zjarri, shkatërron, ndan e pastron. Zjarri do të jetë pastaj Shpirti Shenjt që Jezusi i ngjallur do të komunikojë.

“Është një pagëzim që duhet ta marr”. “Të pagëzohesh” domethënë të zhytesh në ujë”. Jezusi duhet të kalojë nëpërmjet valëve të vuajtjes e të vdekjes për të kryer planin e Atit: shpëtimin e njerëzve.

“A mendoni se unë kam ardhur të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen”. Jezusi ka ardhur të sjellë paqen, por për shkak të zgjedhjes apo të refuzimit ndaj Tij, edhe në të njëjtën familje anëtarët, që nga natyra janë të lidhur mes tyre, do të ndahen. Në respekt të lirisë së tyre, Jezusi i fton të gjithë në kthim e të zgjedhin Atë.

“Dini të gjykoni pamjen e tokës e të qiellit, si është e mundur që këtë kohë nuk dini ta gjykoni?” Jezusi thotë: nuk dini ta gjykoni “këtë kohë” vendimtare në historinë e në jetën tuaj, sepse nuk doni. Nuk dini të njihni mundësinë që Hyji po ju ofron për lumturinë dhe shpëtimin tuaj: nuk doni të ktheheni. Si të ktheheni seriozisht ndaj Jezusit? Duhet t’i besohemi krejtësisht Krishtit, që të bëhet Ai gur themeli e kuptimi i sjelljes sonë. Duhet të mbledhim dëshirën e tij të thellë: që zjarri i Shpirtit, zjarri i dashurisë të flakërojë kudo, në jetën tonë. Jo “zjarre kashte”, por që zgjasin.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, Jezusi na ofron paqe dhe falje, por kërkon bashkëpunimin tonë duke luftuar egoizmin, fallsitetin dhe pa-drejtësinë në nivel personal dhe shoqëror. T’i kërkojmë Hyjit që të na mbështesë me hirin e tij. Të lutemi duke thënë:

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën: që e fortë nga prania e Zotit të saj, të ketë guximin për të shpallur Ungjillin edhe pse ndihet në botë si “një grigjë e vogël”. Të lutemi.

L. Për të gjithë misionarët, meshtarët dhe laikët: që të udhëhequr nga Shpirti Shenjt të dinë t’u përcjellin lajmin e gëzuar të gjithë popujve, edhe duke pranuar vuajtje. Të lutemi.

L. Për familjet e reja, që vuajnë për shkak të përplasjeve dhe ndarjeve: që të mos mungojë kurrë forca e durimit dhe e dialogut. Të lutemi.

L. Për këtë bashkësi famullitare: që në çdo zgjedhje të drejtojë shikimin e saj drejt Krishtit që na do kështu siç jemi, por do gjithmonë kthimin tonë. Të lutemi.

M. O Hyj Ati ynë, Zot i bashkimit dhe i paqes, na bëj që ne të jetojmë lajmin e gëzuar në shërbim të vëllezërve. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: