Zoja e Letnicës: grishëse e dëshmisë dhe kushtimit të krishterë

Aug 18 • Kisha në Kosovë

Festa e Zojës së Letincës është ndër festat më të gëzueshme dhe më të dashura të Kishës katolike në Kosovë. Pesëmbëdhjetë gushti është sinonim i shtegtimit marian, përshpirtërisë mariane dhe uratës drejtuar Virgjërës Mari.

Pesëmbëdhjetë gushti mbledh mija besimtarë dhe qytetarë të Kosovës në Shenjtëroren e bukur të Letnicës, ku ndër shekuj katolikët takohen në uratë, dëshmojnë përkatësinë e tyre të krishterë (martirët e Malësisë së Shkupit) dhe fitojnë thirrje për të shërbyer Zotit dhe njeriut (Nënë Tereza). Kjo traditë kishtare e katolikëve në Kosovë për çdo vit kremtohet me shumë ndjesi e dashuri.

Përgatitja nëntëditore, treditore me plotë përshpirtëri e meshë, janë një ripërtëritje e shpirtit të krishterë, e cila kulmon në vigjilje dhe ditën e festës. Sivjet homelitë e meshëve kanë pasur për temë Kishën, rëndësinë e saj dhe misionin në kohën tonë. Kjo është caktuar nga meshtarët e dekanatit të Prishtinës, për të risjellë në mendjen dhe zemrën e bashkësisë së krishterë, shpalljen e Dioqezës së re Prizren-Prishtinë nga Papa Françesku vitin e kaluar, sepse ne si kishë lokale, jemi pjesë e pandashme e kishës universale dhe si e tillë  pjesë trupit të shenjtë mistik, që bartim edhe përgjegjësitë për ta dëshmuar praninë ekleziale në këto troje të lashta të krishterimit apostolik.

 

Vigjilja e festës

Vigjilja e festës filloi me shtegtimin e gjithë kishës nga kisha e Zemrës së Krishtit në Viti drejt Shenjtërores, të cilit i priu bariu i ynë, ipeshkvi, Imzot Dodë Gjergji, me meshtarë, rregulltarë e rregulltare, besimtarë të devotshëm të Zojës së Letnicës. Shtegtimi filloi në ora 13:30 e zgjati deri në ora 17:00 ku u priten me pietet në Shenjtërore nga rektori i saj Don Marjan Lorenci, dhe meshtarët të tjerë, e cila mbushet plotë me besimtarë.

Mesha e vigjiljes ka gjithnjë një bukuri të veçantë, sepse tash disa vite pagëzohen katemumenët e përgatitur gjatë vitit. Sivjet u pagëzuan tetë katekumenë; 3 nga Prishtina, 3 nga Mitrovica e 2 nga Gjilani. Pastaj procesioni tradicional me truporen e Zojës së Lurdit rreth objekteve të shenjtërores, të përcjell me qindra besimtarë me qirinj në dorë, me lutje e këngë mariane. Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji gjatë homelisë së tij të shkurtër, për shkak të motit të ligë, i ftojë të gjithë besimtarët e pranishëm të lusin për këta anëtarë të rinj të kishës sonë, që Zoja e Bekume me ndërmjetësinë e saj të nxjerr hire e bekime për të jetuar si bijë e bija të denja të Zotit dhe të kishës.

 

Dita e festës

Në ditën e festës, më 15 gusht, mbërrijnë edhe shtegtarë të tjerë, pra rritet numri i shtegtarëve dhe krijohet një oazë lutje e përshirtërie me qindra e mijëra njerëz, të besimeve të ndryshme e kombeve të ndryshme.

Në meshën e ditës ishte i pranishëm edhe ish delegati apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, i cili vitin e kaluar ka kryer misionin e tij diplomatik, por ka mbetur një mik i madhe i Kishë dhe popullit tonë.

Imzot Dodë Gjergji në homelinë e festës, pasi e përshëndeti ish delegatin apostolik, meshtarët, murgeshat, autoritet e pranishme, e të gjithë besimtarët, posaçërisht ata nga migracioni, tha se sot jemi së bashku në këtë vend të shenjtë, që ta falënderojmë Zotin për të gjitha të mira që i jep popullit dhe kishës së tij.

Duke e komentuar ungjillin e festës, tha se edhe ne me Elizabetën, mund të themi se, a ka njeri më të lumtur se të vijë në vizitë Nëna e Zotit tonë, a ka popull me të lumtur se të ketë këtë Nënë? Ne jemi kisha që e ka Nënën e Zotit tonë Jezu Krishtit, e cila kujdeset për bijtë e bijat e veta në Kishën e birit të saj, pjesë e të cilës jemi ne në këto troje tash dy mijë vjet. Kjo prani e kishës e ka bërë popullin tonë më të mirë, sepse është Nënë që ka lindur shenjtër, e më të madhen ndër ta Nëna jonë Tereze.

Pas meshe u bë procesioni me truporen e Zojës së Letnicës, e cila bëhet rreth e përqark objekteve të shenjtërores e përcillet prej mijëra shtegtarëve.

Mesha e vigjiljes dhe e ditës së festës u animua nga kori i përbërë prej koreve të dekanatit të Prishtinës, nën udhëheqjen e Don Shtjefën Dodes, kurse Radio Maria e Kosovës e transmetoi drejtpërdrejt përmes valëve të saja për të përçuar në çdo shtëpi këtë kremtim të bukur të kishës sonë./drita.info

Teksti dhe fotot: Don Nikson Shabani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »