Zoti, nevoja jonë më e madhe

Aug 20 • Meditimi i ditës

20 gusht 2019 – E marte, Shën Bernardi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Gjyq 6,11-24a; Ps 85,9.11-14; Mt 19,23-30)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe në mënyrë të padukshme.
Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.
Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha të mirat që m`i ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vetme anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm me mend e zemër,
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

 – – –

Mt 19, 23-30

23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”

25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:

“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”

26Jezusi i shikoi dhe u tha:

“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”

27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:

“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”

28Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”

 

 – – – 

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kemi nevojë t`i përcaktojmë prioritetet tona drejt dhe ta vendosim Jezusin në vendin e parë në jetën tonë. Për të hyrë nëpër derë të ngushtë deveja duhet të gjunjëzohet në mënyrë që t`i hiqet barra prej saj. Ashtu edhe ne kemi nevojë ta dorëzojmë gjithë barrën që na rëndon dhe tërheq poshtë.
  • Asnjë sakrificë që e bëjmë për t`iu afruar Zotit nuk do të mbetet e pa shpërblyer.
  • E dëgjoj përsëri pjesën e ungjillit dhe lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

“Veshët e gjilpërës” në të vërtetë quhej dera shumë e vogël që çonte në Jerusalem. Sa shpesh i vëren Jezusi gjërat e përditshme duke i përdorur ato si imazhe për të përcjellë mesazhin e tij?Dhe përsëri Jezusi ngre standardin për ata që duan të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit, dhe dishepujt janë përsëri të habitur, të trishtuar. Jezusi shpesh shkon në ekstreme për të përçuar të vërtetën. Ne mund të biem në tundim dhe në gropën e zhgënjimit ose përndryshe të presim fjalën e mëshirës që ai shton rregullisht. A e beson fjalën e Jezusit për trashëgiminë e jetës e pasosur?

 

 Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Lutja jonë e sotshme, o Zot, është se s`do të kemi frikë nëse kërkon prej nesh për të bërë diçka. Na ndihmo që të kemi besim të plotë në ty, duke besuar se për ty, vetëm për ty kemi nevojë të gjithë ne. Ati ynë…
 Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »