Na fal, o Zot, për xhelozinë tonë!

Aug 21 • Meditimi i ditës

21 gusht 2019 – E mërkurë, Shën Piu X, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Gjyq 9,6-15; Ps 21,2-7; Mt 20,1-16a)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që krijon ndasi.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër,

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më lë përshtypje.

– – – 

Mt 20, 1-16

 

1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 2 E, si u mor vesh me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa disa të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’

8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë i ankoheshin të zotit të shtëpisë12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’

13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u more vesh me mua për nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’

16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Sa të ndryshme janë rrugët e Zotit nga ato tonat! Jezusi përdor imazhe dramatike për të ndryshuar idetë tona lidhur me rëndësinë dhe vetë-pëlqimin tonë vetjak. Në një vend tjetër do të thotë, “Ulu në pjesën e poshtme të tryezës, jo në krye të vendit“, ose “Të parët do të jenë të fundit, kurse të funditparët.” Në Mbretërinë e Hyjit s`ka vend për garë.
    Na fal, o Zot, për xhelozinë, të qenit tonë smirëzinj. Na ndihmo që të jemi mirënjohës për atë që kemi dhe të mos ankohemi për lumturinë e tjetrit. Na ndihmo që të bëhemi zemërgjerë në raport me të tjerët dhe asnjëherë të mos mendojmë se meritojmë më shumë se të tjerët.
  • E lexoj sërish fragmentin biblik dhe shoh ç`po ndodh në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.

Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia çeli zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i vetëdijshëm se ai gjithmonë di ç` është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim,

ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »