Ora e Bogdanit në Seminarin për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare

Aug 21 • Kulturë, Letërsi

Sot, më 21 gusht, në kuadër të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u mbajt Ora e Bogdanit, tryeza kushtuar figurës së Pjetër Bogdanit, në 330 vjetorin e kalimit në amshim.

Panelistët, përkatësisht ligjëruesit e në këtë tryezë ishin: Prof. Kujtim Shala, Prof. Evalda Paci dhe Don Lush Gjergji që u mbajt në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë.

Kumtesën e parë e mbajti prof. Kujtim Shala me titull “Libri i Bogdanit”, i cili u fokusua te kryevepra e Pjetër Bogdanit “Cuneus Prophetarum”.  Shala e quajti Bogdanin mjeshtër të formave të ligjërimit dhe për këtë arsye ai është aktual edhe sot për shkak të klasicitetit? “Bogdani lexohet edhe sot ndërsa leximi është provë klasiciteti. Një vepër e kryer, kryerjen e ka në idetë e saj, ndërsa përkryerjen në diskurs. Të lidhura bashkë dhe të prera për nga saktësia idetë dhe format janë shenjat tipike të veprës së Bogdanit”, tha Shala.

Kumtesa e dytë u lexua nga Profesoresha Paci në të cikën trajtoi shërbimin e Bogdanit për dijen dhe atdhesinë. “Vepra e Bogdanit është realizim kompleks si nga përmbajtja dhe vëllimi dhe ndërthurja e krerëve përbërëse la gjurmë të ndjeshme në personalitetin e këtij autori”, theksoi ajo.

Kurse i treti ishte Dom Lush Gjergji në kumtesën e tij me titull “Imzot Pjetër Bogdani njeri i fesë, kombit dhe kulturës”, tha se vepra e tij nuk mund të kuptohet pa dimensionin e besimit të krishterë, pasi autori kishte përgatitje filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore në nivelin më të lartë. Sipas Don Lushit “Imzot Pjetër Bogdani kishte qëllim mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e të huajve, zhvillimin fetar kulturor dhe shpirtëror dhe çlirimin nga robëria dhe injoranca nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar si parakusht për vetëdijesim nga sundimi shekullor turko-otoman”.

Pas kumtesave u zhvilluar edhe një diskutim, me pyetje dhe komente ndërmjet audiencës dhe ligjëruesve./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »