Tingujt e heshtjes

Aug 21 • Këndvështrime

Nga Don Shtjefën Dodes

 

Të jetosh në një shoqëri ku parapëlqehet dhe promovohet vetëm dukja, ana e jashtme, ekziston rreziku që njeriu të joshet nga kjo botë e ndryshueshme dhe ta humb kontaktin me vetveten – të bëhet i huaj për vetveten – të jetë jashtë vetes. Një shoqëri konsumuese, që përkrah vetëm gudulisjen e ndjenjave, zhurmën dhe sensacionin, formon njerëz sipërfaqësor, të lëkundshëm, gjegjësisht edhe më të pakënaqur, të palumtur.

Njeriu është më shumë se dukja, më shumë se tingujt që i dëgjon jashtë, më shumë se paraqitja e jashtme. Përveç botës së shqisave, imazheve, syve, njeriu ka edhe botën e brendshme, mendjen dhe zemrën. Për të ardhur në kontakt me pastërtinë dhe qartësinë e brendshme, kemi nevojë për heshtje. Njeriu që nuk hyn në vetvete, që nuk është i aftë ta durojë vetminë, heshtjen, jehonën, tingujt e saj, ai gjithmonë do të jetë diku jashtë vetes dhe do ta përcaktojë veten vetëm në bazë të rrethanave të jashtme, të huaja – gjithmonë të ndryshueshme… Vetëm kur të pushojmë së përcaktuari veten nga vlera margjinale, të dorës së dytë, mund të jemi në kontakt me shkëlqimin origjinal të shpirtit tonë.

Pikërisht, kur njeriu ndihet pre e ndikimeve nga jashtë, si marionetë në duart e dikujt (të panjohur), është koha që të hyjë në botën e tij të brendshme – t`i kthehet vetvetes – nevojave të tij të thella. Kur personi nuk guxon të jetë vetvetja, kur vazhdimisht kopjon, imiton si pula pa krye, kur nuk e zbulon origjinalitetin e personit të vet, tregon se është duke jetuar një jetë sipërfaqësore, të njëanshme. Ai tepër shumë është duke jetuar nga jashtë, i orientuar drejt kërkesave, dëshirave (dhe tekave) të të tjerëve. Duke i kushtuar rëndësi vetëm zërave, tingujve, pamjeve dhe ndodhive jashtë vetes, ai është duke harruar thirrjen e tij të brendshme (që akoma s`e ka zbuluar). Prandaj nuk është e çuditshme që një njeri i tillë ndjehet vazhdimisht i kërcënuar, i frikësuar, i rrezikuar, i lëkundur… Në një shoqëri të tillë përhapen shumë thashetheme. Ka shumë gjykime dhe paragjykime. Si rrjedhojë kemi njerëz që për ta mbrojtur vetveten fillojnë të fajësojnë të tjerët, janë nervozë, të pakënaqur, të dhunshëm, agresivë… sepse ndihen të sulmuar nga jashtë dhe të pasigurt në vetvete. Ata vazhdojnë ta bazojnë veten vetëm në dukuritë, fjalët, ngjarjet e jashtme pa filluar asnjëherë ta rregullojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre të brendshme. Si duket akoma nuk e kanë kuptuar ose askush nuk i ka mësuar se guxojnë, duhet t`i kthehen nevojave të veta të thella, shpirtërore, vetvetes.

Etërit shpirtërorë vazhdimisht këshillojnë që në heshtje të hyjmë në vetvete dhe të përgjojmë, duke u bërë të ndërgjegjshëm për mundësitë e reja që hapen në ne. Duhet t`i zëmë besë të Resë, që është tashmë brenda nesh.

Murgjit e vjetër iknin nga zhurma dhe shqetësimet e botës dhe shkonin në shkretëtirë. Qenë në gjendje t`i shihnin nevojat e tyre të thella – jo vetëm për të folur, për të qenë të angazhuar në punë, por edhe për të dëgjuar, për të medituar. Nëse do ta bënim ne sot të njëjtën gjë, do të ishim në tundim t`i merrnim me vete pajisjet tona të lëvizshme, telefonat celularë…! Por si murgjit e mirë, edhe ne jemi të caktuar ta kërkojmë Hyjin.

Nuk është për çudi nëse edhe në botën tonë bashkëkohore, përkundër një ritmi të përshpejtuar, të shpërqendruar të jetës me zhurmë, njerëzit kanë filluar të kërkojnë se si të gjejnë vende qetësie, ku mund të hyjnë në kontakt me botën e tyre të brendshme.

Edhe në botën bashkëkohore, të teknologjisë, masmediave, show-eve të ndryshe, shpirti i murgjërisë ka filluar të lulëzojë duke u përpjekur të rimbjellë vlerat e lashta në jetën tonë. Një stil i tillë jete sugjeron që zemrat tona të bëhen manastire në mes të një jete të stresuar, (pa nevojë) të shqetësuar. Mund të bëhemi të qetë dhe të vëmendshëm dhe të kultivojmë një vend heshtjeje në shpellën e zemrave tona që e ndajmë vetëm me Zotin.

Sidomos sot ndjehet nevoja për të mbledhur përvoja të profetit të lashtë Eli. Përvoja e shkretëtirës kumbon brenda nesh dhe tërheq zemrat tona. Është pjekuri shpirtërore që si Elia profet, të kalojmë nëpër vetmi, gjegjësisht të ngjitemi në mal, sepse, siç i qe thënë profetit na thuhet edhe ne, Zoti ka për të kaluar andej. Erdhi një erë e fortë dhe e furishme, por Zoti s`ishte në erë, as në tërmet që pasoi, as në zjarr. Pastaj shkrimtari i shenjtë na tregon se pas zjarrit vijoi “si një shushuritje e lehtë dhe e ëmbël.” Elia e ndjeu këtë heshtje misterioze, dhe doli për të takuar Hyjin (khs. 1 Mbr 19, 11-13). Ata biseduan së bashku, dhe pas kësaj Elia e dinte se çfarë duhej të bënte.

Të tilla mund të jenë edhe përvojat tona sa herë që vendosim për të lënë botën e preokupuar dhe të zbresim në shpellën e zemrës sonë, në vendin e shenjtë, siç thotë Jezusi, “ku e takojmë Hyjin që është në fshehtësi” (Mt 6, 6)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »