Leksioni i një lideri

Aug 22 • Opinion

Nga Alberto Capotti

 

“Thuhet se qeniet njerëzore mund të jetojnë dyzetë ditë pa bukë, katër ditë pa ujë e katër minuta pa ajër. Porse askush prej nesh nuk mund të jetojë katër sekonda pa shpresë. Sot, jam këtu që t’iu flas për shpresën…”

 

Kam menduar për mënyra të ndryshme si të flas për Sergio Marchionne, pas një viti të kalimit të tij në amshim. Pastaj jam dorëzuar. Për të shpjeguar se çfarë na ka lanë ish administratori delegat i Fiat-Chrysler, asgjë s’do të ishte më e dobishme dhe më e fuqishme se sa vetë fjalët e tija të shqiptuara në dy fjalimet që iu ka drejtuar studentëve të Universitetit Bocconi të Milanos në vitin 2002 dhe në vitin 2014, të cilat po i paraqes këtu të përmbledhura.

“Besoj se e ardhmja – iu fliste menaxherëve të së nesërmes – nuk është një detyrë vetëm e të rinjve. Është një përgjegjësi individuale dhe kolektive, që i besohet atij që ka vullnet dhe pasion, që nuk dorëzohet, por lufton për të krijuar, për të ndërtuar, për të përparuar. Përkundër mijëra vështirësive, është çasti me rinis për të krijuar në mënyrën më të mirë që dimë: duke punuar. Gjërat që i bëjmë dhe mënyra se si i bëjmë, ato flasin për ne, për vizionin tonë si e shohim botën, dhe për tipin e personit që duam të jemi. Vetëm gjërat që i bëjmë, atë që ndërtojmë, janë ato që na bëjnë të veçantë.

Sot jetojmë në epokën e të drejtave. Të drejtën për pozitë të qëndrueshme, për pagën e garantuar, për punë afër shtëpisë; të drejtën të ngrehim zërin dhe të bëjmë parada; të drejtën për pretendime. Më lejoni të them se, të drejtat janë të paprekshme dhe duhet të mbrohen. Por nëse vazhdojmë të jetojmë vetëm prej të drejtave, nga të drejtat do të vdesim. Sepse ky “evolucion i llojit” krijon një gjeneratë shumë më të brishtë se ajo e përparshmja, pa guxim, që e ka të vetmen shpresë se dikush do të bëjë diçka për ne. Një lloj “prit e shiko” të çoroditur dhe involucionare. Për këtë arsye duhet të kthehemi te sensi i shëndosh i detyrave, te vetëdijesimi se për të pasur duhet edhe të japim.

Në vitin 2004 jam ftuar të udhëheq kompaninë Fiat, e cila ishte e mbyllur në vetvete, e izoluar, shumë e ngadalshme në veprim dhe në reagim. E kishte humbur aftësinë e vullnetin për konkurrencë, kontaktin me realitetin dhe tregun. Humbiste 5 milion çdo ditë, përfshirë fundjavën. Në verë 2004 shkova në zyrë në Torino. Ishte muaji gusht, nuk e gjeta askënd aty. Mendoja, 5 milion për çdo ditë! Bëra pyetjen: po njerëzit ku janë? “Janë në pushime” – ishte përgjigja. Në pushime për çfarë? Fiat-i ishte dhe është një kompani internacionale: në Brazil as që e lodhin kokën për muajin gusht, në Amerikë gjatë gushtit punohet. Porse Fiat-i i mbyllej, duke caktuar se kur bota duhet të pushojë së punuari. Përndryshe botës nuk i intereson nëse tek ne është diell, nëse prodhojmë makina të mira, nëse jemi të aftë të këndojmë apo dimë të gatuajmë. Italia duhet të kthehet të jetë e besueshme dhe serioze. Të dalim jashtë për t’u matur me të tjerët, të dalim të konkurrojmë, të luftojmë. Të vihemi në të njëjtin terren me të tjerët e të shohim pastaj nëse do të jemi të aftë apo jo.

Shpesh më kanë pyetur, çfarë keni bërë që e keni shpëtuar Fiat dhe Chrysler, e para një ndërmarrje thuajse e vdekur, kurse tjetra nuk ndihej mirë, duke i bashkuar dhe duke i shndërruar ato në gjigantin botëror që përfaqësojnë sot.

Nuk ekziston një recetë, por e di se çdo histori e suksesit bazohet në kapacitetin e një grupi të grave dhe burrave për t’i dhënë një kthesë kulturore një rendi të caktuar të gjërave. Kur je në gjendje si lider të hartosh një ideal, t’ju dhashë përgjegjësi personave duke i bindur se fati është krejtësisht në duart e tyre dhe t’i udhëheqësh gjatë këtij procesi, mund të arrish çdo qëllim, objektiv, madje edhe ta tejkalosh atë.

Kështu, ju këshillojë ta mbani mendjen e hapur. Mendjen e hapur për të renë, për të ndryshmen, për mundësitë e pafundme që do shfaqen, pa pas kërkuar asnjëherë as në imagjinatë. Rezultatet që do t’i mbërrini dhe intensiteti me të cilën do t’i përjetoni do të varen më së shumti nga kjo. Ai që nuk është në gjendje të shoh këndvështrime të ndryshme, të dëgjojë opinione të ndryshme, të shkojë përtej përvojës së tij personale, humbë shansin të jetojë në plotni. Dhe tragjedia më e madh është se nuk do ta kuptojë kurrë atë që e ka humbur.”/drita.info

 

Burimi: avvenire.it, e enjte 25 korrik 2019.

Përktheu: F.K.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »