Vetëdija për dinjitetin

Aug 23 • Meditimi i ditës

23 gusht 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rt 1,1.3-6.14b-16.22; Ps 146,5-10; Mt 22,34-40)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Po të dëshironte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë se çfarë dëshiron Hyji të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur përmes njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

– – –

Mt 22, 34-40

 

34 Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri prej tyre [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti:

36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”

37 Jezusi u përgjigj:

“Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”

– – –

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Farisenjtë duket se veprojnë nga frika dhe pasiguria. Jezusi ua mbylli gojën rivalëve të tyre më të mëdhenj saducenjve, tani ata kërkojnë ndihmën e tij. Por, Jezusi e parashtron sfidën duke mos deklaruar asgjë tjetër përveç doktrinës themelore të besimit hebre.
  • Udhëheqësit e shkëlqyeshëm janë ata që vendosin atë për të cilën gjë të gjithë pajtohen qartë dhe mendojnë se kanë të drejtë. Ata e dinë se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. A mendon se farisenjtë u larguan të kënaqur me përgjigjen e Jezusit?
  • Ekziston një farise i vogël në secilin prej nesh. Edhe ne i kemi ndjenjat tona të frikës dhe pasiguritë tona, kërkojmë siguri dhe kemi nevojë për ndihmë në vendosjen e prioriteteve. Gjatë kohës që e lexon sërish pjesën e ungjillit pyete vetes se a ke menduar ta pyesësh Jezusin se çka mendon ai se është e rëndësishme për ty?

 

Bashkëbisedimi

Nëse e duam Hyjin, atëherë do ta shohim atë në të tjerët dhe do t`i trajtojmë ata me kujdes dhe respekt. Nuk do ta dëmtojmë të afërmin, por do të bëjmë atë më të mirën për të jetuar në paqe me ta. Paramendoje se si do të ishte bota e mrekullueshme, po të vepronim kështu të gjithë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjttë. Jezus, jemi larg nga dashuria ndaj të afërmit, siç e kërkon këtë gjë prej nesh. Duke qenë se ne vetveten s`e vlerësojmë siç duhet, këtë s`e bëjmë as ndaj të tjerëve. Na bëjë të vetëdijshëm për dinjitetin që na ke dhënë – atëherë më lehtë do ta identifikojmë këtë dinjitet te të afërmit tanë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »