Dera e ngushtë: një zgjedhje që të dhuron marrëdhënie, afërsi dhe ndryshim!

Aug 24 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXI gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Is 66, 18-21

Hyji nuk e ka fshehur kurrë planin e tij të shpëtimit: të bashkojë njerëzimin e shpërndarë në një popull të vetëm në paqe. Hyji do të dërgojë një shenjë në të cilën të gjithë njerëzit mund të njihen. Tani ne që kemi njohur këtë shenjë, që është vetë Jezusi, kemi për detyrë të ftojmë të tjerët të njohin në Jezusin shenjën e dashurisë së Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan – në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time – dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit – në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në malin tim të shenjtë, në Jerusalem – thotë Zoti – po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   117

 

Ref: Të adhurojnë, o Zot, popujt e mbarë botës

—————————————

Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,

madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!

—————————————

Sepse e madhe është dashuria e tij

ndaj nesh, besnikëria e Zotit qëndron për amshim.

—————————————-

 

Leximi i dytë   Heb 12, 5-7.11-13

Siguria e besimtarit është se Hyji na trajton gjithmonë si bij, edhe kur lejon provën e shkretëtirës, mërgimit dhe të persekutimit. Edhe bashkësitë e krishtera përballë kontraditave dhe dështimeve nuk duhet të dyshojnë për qëllimet e Atit, që udhëheq ngjarjet tona me dashuri, që të formohet në ne imazhi i Birit të Tij. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti, e edukon me disiplinë, e rreh me thupër atë që e pranon për bir.”  Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.  Prandaj ngritni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por me mirë të shërohet. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, e do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 13, 22-30

Jezusi i fton të gjithë në tryezën e shpëtimit, por normat e jashtme dhe praktikat fetare vënë në gjumë ndërgjegjen e mësuesve të popullit, të cilët janë përjashtuar nga shpëtimi.  Edhe shumë të krishterë përgjumen, duke menduar se zotërojnë të vërtetën dhe shpëtimin, por do të paraprihen në tryezën e shpëtimit nga njerëzit vullnetmirë që kërkojnë të vërtetën.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”  Ai u tha: “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjë: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ Por ai do të përgjigjë: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’  Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët, e të parë që do të jenë të fundit!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetën e çdo njeriu egziston një rrugë e ngushtë, që të çon drejt shpëtimit, e një rrugë e gjerë që të çon drejt humbjes.

“O Zot, a janë pak ata që do të shëlbohen?”. Shpëtimi është problemi i vetëm serioz i njeriut. Ajo që ka rëndësi nuk është të dish sa do të shpëtohen, por sidomos cila është rruga e sigurt për të arritur shpëtimin. Për Jezusin të shpëtohesh është e mundur për të gjithë, por nuk është e lehtë.

“Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë”. Duhet të përpiqemi me këmbëngulje, për të hyrë në rrugën e shpëtimit, që është tryeza e jetës dhe e bashkimit me Hyjin e mes vëllezërve. Dera që të çon në sallën e banketit është e hapur për të gjithë, por është e ngushtë dhe e vështirë për t’u kaluar: “shumë nuk do t’ia dalin”. Nuk mjafton të kesh dëshirën të shkosh në festë. Duhet të kesh guximin të angazhohesh në maksimum për të shkuar kundër rrymës.

Shpëtimi është një dhuratë që merret me mirënjohje e me një mikpritje të lirë e të përgjegjshme. Hyji nuk na shpëton pa bashkëpunimin tonë. Dera nuk është e hapur gjithmonë. Në çastin e vdekjes sonë dera do të jetë e mbyllur përfundimisht nga Zoti. Kush nuk ka hyrë në kohë, për shkak të indiferencës së tij, do të qëndrojë jashtë përgjithmonë.

“Hëngrëm e pimë me ty e ti mësove nëpër sheshet tona”. Nuk mjafton të jesh i pagëzuar, të kesh marrë sakramentet, duhet të zbatosh angazhimet e vetë pagëzimit, të aktualizosh vullnetin e Zotit në të gjitha mjediset e jetës.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Hyji Atë dëshiron shpëtimin e të gjithëve nëpërmjet Krishtit, Biri i tij dhe Zoti ynë. T’ia drejtojmë pra, lutjen tonë plotë besim. Të lutemi së bashku e të themi

Na dëgjo, o Zot.

L. O Zot, bëj që Kisha jote të jetë dritë e popujve në fillimin e këtij mijëvjeçari të tretë. Të lutemi

L. O Zot, mbështete Papën, ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët: që të ringjallur nga hiri yt, të mund të zhvillojnë me fryt misionin e tyre në botë. Të lutemi

L. O Zot, ndriçoji ata që besojnë në Ty: bëj që gratë në çdo mjedis të jetës qytetare të dinë të rrisin vlerat e Ungjillit, me bujari dhe entuziazëm. Të lutemi

L . O Zot, jepu guxim meshtarëve dhe katekistëve: bëj që nëpërmjet veprimit të tyre Kisha të ketë gjithmonë krahë dhe zemër të hapur për të pranuar, për të kuptuar, për të shpëtuar të gjithë. Të lutemi

L. O Zot, hapi mendjet tona dhe zemrat tona përballë dëshmisë dhe mirësisë: bëj që Ungjilli t’u shpallet, në mënyrë personale dhe të përbashkët, jo vetëm atyre që janë afër, por edhe atyre që janë larg. Të lutemi

M. O Hyj i gjithëpushtetshëm, që ke dërguar Birin tënd për të na treguar rrugën e shpëtimit, na ndihmo ta ndjekim deri te kryqi. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen.

 

(ecclesia.al)

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »