Jezusi e vlerëson të padukshmen

Aug 24 • Meditimi i ditës

24 gusht 2019 – E shtunë, Shën Bartolomeu (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 21,9b-14; Ps 145,10-13b.17-18; Gjn 1,45-51)

 

Prania e Hyjit

E marr me mend që gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çka Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës

për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

– – – 

Gjn 1, 45-51

 

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha:

“E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli.

“Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të:

“Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli.

Jezusi iu përgjigj:

“Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha:

“Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj:

“Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

– – – 

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Përgjigjja e Natanaelit duket cinike, por ka qenë i gatshëm të shkonte dhe të shihte siç e kishte ftuar Filipi. Do të lus për fuqi për të cilën kam nevojë që të ballafaqohem me përgjigjet që nuk më pëlqejnë dhe do ta lus Zotin që të veprojë me butësi në zemrat që dyshojnë.
  • Çka ka qenë ajo që Jezusi e kishte parë nën fik? Çfarë ngjarje apo fjale ishte që e çuditi Natanaelin? Do ta përfytyroj sesi Jezusi më vështron nën fikun e jetës sime dhe si e vlerëson atë çka është e fshehur prej të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Zotit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »