Dera/marrëdhënia e ngushtë çon në jetë

Aug 25 • Meditimi i ditës

25 gusht 2019 – E diela 21-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 66,18-21; Ps 116,1-2; Heb 12,5-7.11-13; Lk 13,22-30)

 

Prania e Hyjit
O Zot, më ndihmo që tërësisht të gjallërohem në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime u bëftë një me tënden.

 

Liria
Hyji nuk është mish i huaj në trupin tim.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetën dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxituar butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lutem për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë.

 

Ndërgjegjësimi
E di se Hyji më do në mënyrë të pakusht.

Për këtë arsye sinqerisht e vështroj ditën e kaluar, ndodhitë dhe përjetimet.

A ekziston diçka që do të duhej të isha mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

 

Lk 13, 22-30

 

22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 23 Një njeri e pyeti:

“Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”

Ai u tha:

24 “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.

25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ 27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Imagjinoje një predikues të butë që hyn sot në qytetin tënd. Njerëzit i bëjnë atij pyetje, dhe ai përdor në mënyrë të duhur figura, imazhe të ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejt mbi ta. Ai është i butë, por jo i dobët. Ballafaqohet me situata konflikti duke mos i shmangur ato. Standardet e tij janë gjithmonë të larta. Ky është një mesazh si në pëllëmbë të dorës.

Është ky një mesazh dhe sfidë që e dëgjojnë të rinjtë dhe të moshuarit, të fuqishmit dhe të pafuqishmit, të pasurit dhe të varfrit. Kjo “Mbretëri e Hyjit” është një koncept krejt i ri që është vendosur para tyre. Të gjithë janë të mirëpritur, dhe disa që do të jenë në gjendje të “futen” ndoshta edhe do të na befasojnë. Sidoqoftë, njeriu nuk hyn pa një luftë dhe mundim.

Ndërsa e dëgjon sërish pjesën e ungjillit, pyete veten se cila do të jetë apo është beteja jote?

 

Bashkëbisedimi

Personi që e realizon qëllimin e vet të vërtetë është ai që hyn nëpër derë të ngushtë të kthimit të vet personal dhe të një marrëdhënieje të ngushtë me Jezusin.

Si të arrijmë deri te një gjendje e tillë?

Duke lexuar Shkrimin Shenjt dhe duke e njohur Jezusin në kohë heshtjeje dhe duke kaluar kohën me të në lutje të përqendruar.

Kjo është ajo çka dëshiron të arrijë “Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme”.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, edhe ne si nxënësit po të kërkojmë të na mësosh se si të lutemi. Si të lutemi me zemër dhe të vijmë në praninë tënde me zë gëzimi? Meqenëse na fton të vijmë më afër teje, të kemi një marrëdhënie të ngushtë me ty, na aftëso, o Zot, që t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje që vjen prej teje. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »