Duke e njohur Zotin i pasurojmë edhe jetët e të tjerëve

Aug 26 • Meditimi i ditës

26 gusht 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sel 1,1-5.8b-10; Ps 149,1-6a.9b; Mt 23,13-22)

 

Prania e Hyjit

E marr me mend që gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Mt 23,13-22

13 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni as nuk i lini të hyjnë ata që duan të hyjnë![14].

15 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që kërkoni det e tokë për të fituar një proselit e, kur kthehet, e bëni bir të ferrit dy herë më të keq se veten!

16 Vaj për ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Nëse ndokush betohet me Tempull, ai betim s’detyron, por, nëse betohet me arin e Tempullit, atëherë e detyron betimi.’ 17 Të marrë e të verbër! Po cili është më i madh: ari apo Tempulli, që e shenjtëron arin? 18 Ju thoni edhe: ‘Kush betohet me lter s’detyron ai betim, porse, kush betohet me dhuratën që është mbi lter, atëherë e detyron betimi!’ 19 Të verbër! Po çka është më e madhe: dhurata apo lteri që e shenjtëron dhuratën? 20 Tashti kush betohet me lter, betohet me të dhe me krejt çka ka në të! 21 Kush betohet me Tempull, betohet me të dhe me Atë që banon në të. 22 Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të.

 

Reflektimi

 

  • Jezusi është i zemëruar me farisenjtë dhe skribët. Ata nuk po e kuptonin domethënien e jetës para Hyjit, plus të tjerëve ua bëjnë të pamundur për të hyrë në Mbretëri. Ata janë të robëruar nga pëlqimi i gjërave materiale dhe e kanë humbur kontaktin me të shenjtën. Gjendja e tyre është serioze, e frikshme, dhe Jezusi dëshiron t`i shkundë dhe t`i nxjerrë nga verbëria e tyre.
  • Jezusi i dënon farisenjtë sepse ata flasin për diçka që s`e dinë. Ai fliste për atë që është zemrat e tyre, e jo në kokat e tyre të arsimuara. Do të kishte shumë më shumë qetësi po të thoshin njerëzit vetëm atë që dinë. E kur është fjala për fenë, shumë njerëz flasin për atë që është kokat e tyre.
  • E lexoj sërish fragmentin biblik dhe lejoj që Fjala e Zotit të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

Veprimi i heshtur i Hyjit në lutje jep shpjegim dhe rekomandon diskrecion – por a mund të dëshmoj për veprimin Hyjit në zemrën time? Kur flas për fenë, nuk dua të jem si farisenjtë duke i lejuar vetëm arsyes që të flasë. Do të mendoj se si vepron Hyji në thellësitë e qenies sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot, na fal nëse për shkak të verbërisë sonë ua parandalojmë të tjerëve që të gjejnë ty. Na ndihmo që të bëhemi të vetëdijshëm se si mendimet dhe veprimet tona mund të kenë efekt mbi njerëz të tjerë. Bëj që të njohim ty në mënyrë që t`i pasurojmë jetët e të tjerëve me të cilët vendosim kontakte. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »