Dëshira për t` (mos) u ndryshuar

Aug 27 • Meditimi i ditës

27 gusht 2019 – E martë, Shën Monika, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës:  1Sel 2,1-8; Ps 139,1-6; Mt 23,23-26)

 

Prania e Hyjit
Kur jam i/e grishur të rri me mikun,

mezi pres të takohem dhe e ndiej veten se më bëhet nder.

Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në afërsinë e tij,

Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.

Me fe dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën ndaj Hyjit,

Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e lidhur, që krijon ndasi.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të ndërthurur me marrëdhënie – me lidhje të shumta me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedhë përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa prishur, disa ndërprerë:

Ndoshta për shkak kësaj ndjehem i/e mërzitur, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mt 23,23-26

 

23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!

25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! 26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Jezusi vazhdon diskutimin e tij (nga leximi i djeshëm) duke qortuar farisenjtë dhe skribët për stilin e tyre të jetës. Atyre u mjafton vetja e tyre dhe mendojnë se janë mbi ligjin. Nga jashtë ata duken mirë, por kanë lënë pas dore gjëra më të thella dhe më të rëndësishme. Janë të preokupuar vetëm me gjëra tokësore, e jo me çështjet e zemrës, të tilla si drejtësia, mëshira dhe besnikëria.

Feja e institucionalizuar gjithmonë mbart me vete rrezikun e pandershmërisë ose, në rastin më të keq, hipokrizinë ndërsa predikuesit e paguar duhet ta harmonizojnë sjelljen e tyre me parimet e fesë. Është interesante se të vetmit njerëz që Jezusi i dënon në Ungjij janë farisenjtë dhe të ngjashmit me ta. Ai i akuzon ata që nuk e kuptojnë Zotin sepse nuk i shohin gjërat themelore: drejtësinë, mëshirën dhe besimin.

E dëgjoj sërish fragmentin biblik, dhe lejoj që Fjala e Zotit të gjejë jehonë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi
Shpesh duhet vetëm një person për të identifikuar atë që është e keqe dhe përsëri të vendosen prioritetet. Jezusi e bën këtë çdo herë rishtas në marrëdhëniet e tij me “mëkatarët”: njerëz, sjellja e të cilëve është kundër ligjit hebre. Ai shëron dhe fal mëkatet ndërsa farisenjtë dhe të ngjashmit i dënojnë dhe madje shkatërrojnë njerëzit.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, po na sfidon që ta ndryshojmë mënyrën tonë të jetës, që të ndryshohemi nga brenda. Kjo është një sfidë e vështirë! Kemi nevojë të ndryshohemi në mënyra të ndryshme. Na ndihmo para së gjithash të kemi dëshirën për t`u ndryshuar, madje edhe në qoftë se s`mund t`i shohim mënyrat me të cilat do të duhej ta bënim akëtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »