Rreziku të jetosh sa për sy e faqe

Aug 28 • Meditimi i ditës

28 gusht 2019 – E mërkurë, Shën Augustini, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sel 2,9-13; Ps 139,7-12b; Mt 23,27-32)

 

Prania e Hyjit
Jezusi pret që të hyjë në zemrën time, në heshtje dhe padukshëm.

Ai vjen me dashuri dhe pushtet të pamasë.

Të më përshkojë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria
Shumë vende në këtë moment janë duke e kaluar agoninë e luftës.

E përkuli kryet në shenjë mirënjohjeje për lirinë që kam

dhe lus për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke e ndjerë veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e trishtuar?

Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.

Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur apo i/e zemëruar.

E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.

Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta dëgjoj fragmentin biblik me mend e zemër…

 

Mt 23, 27-32

 

27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish. 28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi. 29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve, 30 dhe thoni: “Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve”. 31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. 32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj! 33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t’i shpëtoni gjykimit të Gehenas?

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Edhe një herë, Jezusi i sfidon farisenjtë dhe skribet, të mendojnë më ndryshe, mbi të gjitha për mënyrën sesi jetojnë nga dita në ditë. Ai i sfidon ata duke u thënë të shikojnë se çfarë po ndodh në veten e tyre, në pjesën e tyre që e fshehin nga njëri-tjetri, dhe në të vërtetë,  edhe nga vetvetja. Ata janë duke jetuar në sipërfaqen e jetës – sa për sy e faqe, që s`ka kuptim real. Ata s`mund të shohin se si mënyra e tyre e jetesës ndikon mbi të tjerët.

Çfarë tmerri të thuhet një gjë e tillë! Çfarë po ndodhte kokën e Jezusit? Gjatë kohës që e lexon sërish pjesën e ungjillit merre me mend vetëm se sa ka mundur ta ketë tronditur kjo: farisenjtë ishin në kërkim të vëmendjes, dhe i largonin njerëzit nga Hyji për të cilin ata vetëm në dukje flisnin.

 

Bashkëbisedimi

Sado shumë të ketë Jezusi dashuri, durim dhe mirësi, ai gjithashtu posedon forcën dhe dëshirën për t`i shkundur dhe zgjuar njerëzit! Jezus, bëj që ta dëgjoj thirrjen tënde për të jetuar.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Atë, edhe ne dimë të jetojmë në mënyrë jo reale, duke menduar vetëm për veten tonë dhe duke mos u kujdesur se si sillemi me ata që i takojmë në shtigjet e jetës. Sa shpesh i mbyllim sytë tanë para nevojave të të afërmve apo gjendjes, britmës të të pastrehëve? Na bëj që të zgjohemi dhe të kuptojmë se si mund t`u shërbejmë atyre që kanë më pak fat se vetja jonë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«