Nëna Terezë – Nobelistja e Paqes

Aug 29 • Opinion

Nga Xhavit Beqiri

 

  1. ÇMIMI NOBEL PËR PAQE

Më 10 dhjetor 1979, Nëna Terezë u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, që u jepet personaliteteve dhe institucioneve me renome ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë ndihmesë të pamohueshme për paqen kudo në botë. Me këtë mirënjohje prestigjioze janë nderuar burrështetas të lartë, personalitete të shquara të historisë të njerëzimit, si dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare, pas të cilave zakonisht qëndrojnë qeveri të vendeve të mëdha, donacione të fuqishme, apo lëvizje të mëdha shoqërore e politike.

E veçanta e nobelistet sonë, Nënës Terezë, është se ajo u nderua me këtë mirënjohje globale duke pasur si atë vetëm një mjet – gjithsesi më të fortin – dashurinë për njeriun. Madje, ceremoninë e pranimit të këtij çmimi, ajo e cilësonte si “një rast të bukur për ta shpallur së bashku harenë e shpërndarjes së paqes, harenë e dashurisë mes njëri-tjetrit dhe harenë e njohjes së të varfërit ndër më të varfër, të cilët janë vëllezërit dhe motrat tona”.

Duke e parë vetveten si “një mjet i paqes në duart e Zotit”, Nëna Terezë ishte kujdesur që të gjithë pjesëmarrësve të atij manifestimi t’u shpërndahej Lutja për Paqe e shkruar nga Shën Françesku i Azisit:

O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:

ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,

ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,

ku ka mospajtimn, bëj ta sjell bashkimin

ku ka dyshim, bëj ta sjell fenë,

ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,

ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,

ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,

ku ka errësirë, bëj ta sjell dritën.

 

  1. VLERËSIMET…

Nëna Terezë u nderua me çmimet më të mëdha që jep bota. Përveç Nobelit, ajo mori edhe shumë mirënjohje të tjera, si: Çmimi “Pamada Shir” (1962), mirënjohja më e madhe kombëtare indiane, Çmimi “Papa Gjoni XXIII për Paqe” (1971), mirënjohja e parë e madhe nga Kisha Katolike, e cila iu dha nga vetë Papa Pali VI, Çmimi “Gjon Kenedi” (1971), Çmimi “Nehru”, Çmimi “Nëna e të gjitha nënave” (1973), Çmimi “Medalja e Lirisë” (1985), i cili iu dha nga vetë Presidenti amerikan Ronald Regan.

Në kohët moderne askush nuk mund të krahasohet me Nënën Terezë sa i përket namit dhe dashurisë që ajo gëzonte anekënd globit. Mirënjohjet dhe epitetet që fitoi ajo për të gjallë nuk mund të numëron. Siç thamë tashmë, Nëna Terezë e fitoi çmimin Nobel për Paqe më 1979, por shumë më parë ajo e kishte fituar një çmim edhe më të madh; ajo e kishte fituar dashurinë e qindra-miliona njerëzve nga e gjithë bota.

Nëna Terezë nuk kishte asnjë asnjë forcë, asnjë mjet detyrimi ndaj të tjerëve. Ajo kishte vetëm lutjen dhe sakrificën e pandalur për të tjerët, për të braktisurit, për të sëmurët, për të pashpresët. Udha e saj jetësore dhe shpirtërore e çoi në Kalkutën e largët, ku vajti me qëllimin sublim për t’u ndihmuar atyre që kishin mbetur të harruar, në mizorinë e mjerimit, të braktisur e pa dashuri. Kësisoj, ajo është shembull i papërsëritshëm i flijimit për njerëzit e lënë, është shembull i besimit në Zotin dhe në Njeriun.

“Nëna Terezë ka tejkaluar personalisht humnerën që ekziston mes të varfërve dhe të pasurve. Vizioni i saj i dinjitetit njerëzor ka ngritur një urë”, arsyetonte katër dekada më parë dr. Gjon Sanes vendimin e Komitetit Nobel për Paqe, derisa po ia dorëzonte mirënjohjen Nënës Terezë në Universitetin e Oslos.

Konsideratat më të larta për figurën e Nënës Terezë kanë dhënë personalitet më të shquara të kohës sonë, si Papa Gjon Pali II, Presidenti Klinton, Kryeministri Toni Bler, Presidenti italian Sandro Pertini, Presidenti francez Zhak Shirak etj.

Nëna Terezë, bijë e urtë e popullit shqiptar, është po ashtu personalitet i rrallë edhe i Kishës Katolike Shqiptare. Ajo e vazhdoi në mënyrë shembullore udhën e madhe të Papa Klementit, Pjetër Budit, Atë Shtjefën Gjeçovit dhe shumë misionarëve të tjerë, që punuan dhe u flijuan për fe e atdhe.

Më 2 korrik 2002, në Prishtinë u përurua shtatorja e Nënës Terezë, Presidenti Rugova, në atë solemnitet, ndër të tjera, pati theksuar: “Kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Terezë, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Terezë, që do ta ndriçojë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur Ajo. Prej sot shtatorja e Nënës Terezë, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe. Ne ndihemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Terezë, Nënës sonë të shenjtë”.

Pra, që më 2002, Presidenti Rugova, me brishtësinë e tij, por me vizionin e rrallë për t’i parashikuar ato që do të vinin në të ardhmen, Nënën Terezë e cilësonte të shenjtë, ashtu siç edhe u njoh zyrtarisht nga Papa Françesku në shtatorin e vitit 2016!

 

III. POROSITË…

Porositë që mund të nxjerrim nga fjalimi i Nënës Terezë janë të shumta, por këto janë ndër më kryesoret:

Dashuria pa kushte, e plotë dhe flijimi për tjetrin, sipas shëmbëllimit të Jezusit, për të cilin nuk ishte e mjaftueshme vetëm të vdiste për ne, por porosiste që ta duam njëri-tjetrin dhe ta shohim Atë te njëri-tjetri;

Ne do të gjykohemi sipas asaj që kemi bërë për të varfërit, për të uriturit, për të zhveshurit, për të pastrehët… Sepse: Çfarëdo që keni bërë për njërin nga këta vëllezërit e mi, keni bërë për mua.

Është aq e bukur për ne që të bëhemi shenjtë për këtë dashuri, sepse shenjtëria nuk është luks vetëm për disa, por një detyrim për secilin prej nesh;

E ndiej – vijonte Nënë Tereza – që një gjë duhet ta bashkëndaj me ju të gjithë; shkatërruesi më i madh i paqes sot është vaji i fëmijëve të pafajshëm të palindur. Sepse, nëse një nënë mund ta vrasë fëmijën në kraharorin e saj, çfarë na ndal ty dhe mua që ta vrasim njëri-tjetrin.  

Për mua, pohon zëshëm ajo, kombet që e kanë legalizuar abortin, janë kombet më të varfëra.

Në këtë vend po ju pyes – u drejtohet Nëna Terezë të pranishmëve në sallën e Oslos – a nuk ishte një fëmijë i palindur që e njohu praninë e Jezusit ndër ne, kur Maria kishte shkuar për vizitë te kushërira e saj, Elizabeta. Duke ua kujtuar Ungjillin, ajo thërret për ta shpëtuar çdo fëmijë, çdo fëmijë të palindur!

Nëna Terezë, nobelistja e paqes, fjalimin e saj e mbaronte me klithjen për t’u bashkuar në të vetmen lutje: O Zot, na jep guximin t’i mbrojmë fëmijët e palindur, sepse fëmija është dhurata më e madhe e Zotit që i dhurohet familjes, kombit dhe mbarë botës. Zoti ju bekoftë!

Një klithje e thekshme, një lutje që vret ndërgjegjen e shekujve! /drita.info

(Kumtesë në Akademinë për ditëlindjen e Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979, më 26 gusht 2019, Qendra “BogdaniPolis” në Prishtinë.)

Shpërndaje

Comments are closed.

«