Lus Zotin që t`i mbush dhe përtërijë rezervat e mia

Aug 30 • Meditimi i ditës

30 gusht 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sel 4,1-8; Ps 97,1-2b.5-6.10-12; Mt 25,1-13)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës ndërsa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj më parë,
a jam i aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta dëgjoj fragmentin biblik me mend e zemër…

– – –

Mt 25, 1-13

 

1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

– – –

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • A mund të ndjesh zhgënjimin e virgjëreshave “marroçe” që u bllokuan në të tashmen dhe nuk menduan për një ngjarje të rëndësishme që duhet të ndodhte në të ardhmen. Ndjeni gjithashtu faktin e refuzimit të virgjëreshave të mençura.
  • Ç’kuptim kishte kur Jezusi tha që Mbretëria e Qiellit do të jetë e ngjashme me këtë ngjarje? A do të thotë kjo se duhet të jemi vigjilentë dhe të gatshëm? Gati për çfarë? Ndoshta për momentin kur forcat tona mund të zbatohen për gjërat e duhura në kohën e duhur?
  • Gjatë kohës që e dëgjoj sërish fragmentin biblik, do të lutem për të gjithë ata që e kanë humbur shpresën, për të gjithë që të priturit iu duket tepër gjatë.

 

Bashkëbisedimi

Jezusi flet që ekziston një kohë e vërtetë e përgatitjes.

E shikoj “vajin dhe dritën” e jetës sime dhe lus Zotin që t`i mbush dhe ripërtërij rezervat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »