Edhe unë mund të bëj diçka të mirë në botë

Aug 31 • Meditimi i ditës

31 gusht 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Sel 4,9-11; Ps 98,1.7-9; Mt 25,14-30)

 

Prania e Hyjit
“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria
Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i hidhëruar, i zemëruar, i zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

– – –

Mt 25, 14-30

 

14 “Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i futi në punë e me ta fitoi edhe pesë të tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.

19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i nxori para edhe pesë të tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë të tjerë që i fitova.’ 21 Iu përgjigj zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy të tjerë që i fitova!’ 23 Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta! 29Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm nxirreni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’“

– – –

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Përqendrohu së pari te të gjithë ata shërbëtorë që kanë punuar me zell për zotërinë e tyre. Shpërblimi i tyre? Hyrja në gëzimin e Zotërisë. Mund t`i imagjinosh të gjitha llojet e argëtimit, dhuratave, një ndjenjë të përmbushjes dhe gëzimit të gjithanshëm.
  • “Talenti” ishte një shumë e madhe (vlerë e madhe) në  atë kohë, kështu që zotëria u besoi një sasi të madhe shërbëtorëve të tij. Sigurisht që ka qenë i kënaqur me punën e shërbëtorëve të vet. Ai ishte i zhgënjyer vetëm me atë që zgjodhi sigurinë, jo rrezikun.
  • Gjatë kohës që e lexon sërish pjesën e ungjillit vë re se si shërbëtorët nuk i kanë shikuar as gjykuar rezultatet e njëri-tjetrit, as nuk kanë shikuar se si qëndron puna e tregut. Çdonjëri prej tyre ka qëndruar ndershëm para zotërisë ashtu sikurse unë qëndroj tani para Zotit.

 

Bashkëbisedimi

Papa Françesku për ata që e jetojnë “një psikologji varri” në Kishë thotë: “Mos të lejojmë që të na privojnë nga gëzimi i ungjillëzimit! Të irrituar nga realiteti, Kisha dhe vetvetja në mënyrë të vazhdueshme tundohen të bien në dëshpërim, pa shpresë, që na rrëmben zemrat si “pije djallëzore”. Të thirrur për të rrezatuar dritë dhe për të transmetuar jetën, ata në fund të fundit bllokohen në gjëra që krijojnë vetëm errësirë ​​dhe ngopje të brendshme, dhe ngadalë e zbehin zellin për apostullat. Për shkak të të gjitha këtyre po e përsëris: Mos të lejojmë që të na marrin gëzimin e ungjillëzimit!”

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Para se të mendohem për talentet që i posedoj dhe t`i numëroj ato, po të drejtohem Ty prej të cilit rrjedh çdo bekim. Më ndihmo, o Zot, që ta pranoj që edhe unë mund të bëj diçka në botë. Më pastro ashtu që qenia ime të mund të të lavdërojë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »