Të jesh i/e përvuajtur, domethënë ta shikosh veten me sytë e Zotit

Sep 1 • Meditimi i ditës

1 shtator 2019 – E diela 22-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 3,17-18.20.28-29; Ps 67,4-5ac.6-7ab.10-11; Heb 12,18-19.22-24a; Lk 14,1.7-14)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj/ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Zotin? Me të tjerët?
A ekziston që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
Diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin e Ungjillit të sotëm me mend e zemër

e lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 14, 1.7-14

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.

7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur:

“Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur e lejon këtë skenë të luhet në fantazinë tënde, kur i dëgjoni fjalët që Jezusi i shqipton me zë të lartë para të zotit të shtëpisë, të ftuarve dhe shërbëtorëve, duket gjithnjë e më shumë si ajo që Nicholas King, jezuit, /në përkthimin e ri të Besëlidhjes së Re/ e quan “Darka katastrofale”. Dikush do të skuqet ndërsa Jezusi flet për vendet e nderit dhe të fundit. Imagjinoje një mysafir që sillet ashtu në një ndejë që e ke përgatitur ti.
  • Një nga rregullat themelore të antropologjisë është “nuk ka diçka të tillë si dhuratë falas”. Njerëzit shkëmbejnë dhurata për një numër arsyesh të thella sociale. Disa për të shprehur respektin e tyre, për të treguar nderin e tyre, për t`u përgatitur në një mënyrë rituale përpara se të takohen me njerëz me autoritet më të lartë, për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore. Dhe kjo është krejt normale.
  • Gjatë kohës që e dëgjon sërish pjesën e ungjillit, pyete veten se a ka jetuar Jezusi në harmoni me standardet e tij të larta morale?

 

Bashkëbisedimi

Të jesh me të vërtetë i përvuajtur s`do të thotë ta zhvlerësosh veten tënde. As s`do të thotë të marrësh poza të ndryshme, të shtiresh, ose të vësh maskë. Jemi të përvuajtur, kur e shohim veten ashtu siç na sheh Zoti.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ti më ke krijuar me fjalën e veçantë të dashurisë personale. Prandaj unë mund ta pranoj zbrazëtinë vetjake.
“Të kam thirrur me emër; ti je i imi. Je i çmueshëm në sytë e mi. Unë të dua. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty” – i thua secili prej nesh, o Zot. Faleminderit! Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«