Ta ndjekësh Jezusin me dashuri të pakusht!

Sep 7 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXIII gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Urt 9, 13-18

Autori do t’u shpjegojë hebrenjve të tunduar nga kultura greke se dituria e vërtetë vjen nga Hyji.  Nuk mund të njohim planet e Hyjit nëse Ai vetë nuk na i zbulon. Nuk mjafton të dish si është ndërtuar universi, por duhet të dimë nga vjen dhe ku shkon ky univers. Dituria dhe Shpirti i Hyjit hyjnë në mendimet e njeriut me qëllimin për të shenjtëruar dhe shpëtuar të gjithë njerëzit.

 

Lexim prej Librit të Urtisë

E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit? Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? Frikacake janë mendimet e të vdekshëmve dhe të dyshimta parashikimet tona: sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse. Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore madje edhe sendet që i kemi në dorë mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtoje gjërat qiellore?  E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë? Vetëm kështu u bënë të drejta shtigjet e atyre që janë në tokë dhe vetëm kështu njerëzit mësuan çka të pëlqen e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   90

 

Ref: Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës

———————————-

Ti e kthen njeriun në pluhur

duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”

Sepse mijëra vjet për sy të tu

janë si dita e djeshme që kaloi,

porsi ndërrimi i rojës së natës!

————————————-

Ti i zhbin në gjasim të gjumit

që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,

në mbrëmje korret edhe vyshket!

————————————-

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

————————————-

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Raftë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve tona.

————————————-

 

Leximi i dytë   Flm 9-10.12-17

Filemoni ishte një i krishterë i Kolosit, i cili kishte një skllav i quajtur Onezimo.  Ai u largua për në Romë pasi kishte vjedhur pronarin e tij.  Aty takon Palin, i cili e bën nxënës të Krishtit, e pagëzon dhe e rikthen te pronari i tij me një letër rekomanduese, që Filemoni ta pranojë si vëlla. Para Krishtit nuk ka pronarë, as skllevër, ekziston vetëm dashuria e tij.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filemonit

Shumë i dashur, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin. Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime. Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg, ku gjendem për shkak të Ungjillit, por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd, që vepra e mirë të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetarisht. Ndoshta shi për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që te ti të kthehej përgjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin. Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, thotë Zoti, nuk mund të jetë nxënësi im!

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 14, 25-33

Jezusi me dy shëmbëlltyra të shkurtra, të kullës dhe të luftës, na fton të llogarisim mundësitë tona me kujdes dhe guxim, për ta ndjekur nga afër. Luka na tregon akoma se ardhja e Mbretërisë së Hyjit është në kundërshtim me raporte të gabuara me njerëzit dhe gjërat materiale. Por ekziston një rrezik tjetër i rëndë: ai i të hequrit dorë nga lidhjet dhe përgjegjësitë ndaj të tjerëve me pretekstin e ardhjes së Mbretërisë së Hyjit. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Jezusi u kthye kah ata dhe u tha: “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im! Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet: a ka sa i duhen për ta kryer? Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ Ose – cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqëroj a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? Nëse nuk mundet, dërgon një delegacion derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe. Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo njeri kërkon “dijen” e vërtetë që e bën të lumtur. Por nëse takon Krishtin do të zbulojë se Ai është i Vetmi, që i dhuron plotësi zemrës së tij.

Jezusi po udhëton drejt Jerusalemit, ku e pret kryqi. “Shumë njerëz po ecnin me Të”. Mësuesi nuk do që njerëzit të lidhen me Të si shkak i një entuziazmi sipërfaqësor. Për këtë zbulon kushtet për të qenë dishepull i tij. “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, … madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im”.

Kush do të ndjekë Jezusin duhet ta duaj më shumë se të gjithë të dashurit e vet, edhe më shumë se jetën e vet. Ai nuk na kërkon të duam më pak personat e dashur për ne, por më shumë, me zemrën e Hyjit.

“Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im”. Jezusi u kërkon dishepujve ta ndjekin deri në fund, të gatshëm për të humbur jetën dhe nderin, të gatshëm për të provuar çdo lloj vuajtje në emër të dashurisë së tij. “Secili prej jush që nuk heq dorë nga pasuritë e tija, nuk mund të jetë dishepulli im”. Është heqja dorë nga logjika e zotë-rimit, e të pasurit, për të hyrë në logjikën e dhurimit falas. Të dy shëmbëlltyrat tregojnë nevojën për të reflektuar më parë për një angazhim të rëndësishëm. Jezusi na nxit t’i hapim mirë sytë e të masim me kujdes forcat tona para se të shkojmë me Të. Llogaria më e zgjuar që duhet të bëjmë është të vendosim ta ndjekim plotësisht e bujarisht.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, sot kemi dëgjuar shpalljen e Ungjillit të shpëtimit që kërkon për Krishtin Zot një dashuri të plotë vetëm për atë. T’i drejtohemi Atit që të na japë ndihmën e Shpirtit të tij. Të lutemi me besim e të themi:

Dërgoje, o Zot, Shpirtin tënd të Shenjtë.

L. Për Kishën, e dërguar në botë për të shpallur Ungjillin: që të jetë interpretuese besnike e Fjalës që na shpëton dhe të dijë ta shpallë me guxim. Të lutemi

L. Për përgjegjësit e kombeve: të luftojnë kundër të këqijave të ndryshme që shtypin popujt e tyre të besuar atyre në këto kohë. Të lutemi

L. Për ata që janë në kërkim të diturisë së vërtetë: që shpallja e Ungjillit të hapë zemrat e tyre ndaj zërit të Krishtit Mësues. Të lutemi

L. Për ne: që të kemi fuqinë të fitojmë mbi vështirësitë që na ndalojnë të ndjekim Krishtin: egoizmin, dashurinë e tepërt për vetveten, hipokrizinë, mosngopjen me lekë dhe kërkimin e nderit. Të lutemi

M. O Atë, që në Krishtin Birin tënd na propozon një model të jetës së vërtetë, bëj që popullit i krishterë të ecë mbi rrugën e vështirë që Jezusi përpara nesh e përshkoi. Ai është Hyji dhe jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«