A jam i/e hapur si Zoja për një plan më të madh?
8 shtator 2019 – E diel, Lindja e Shën Marisë Virgjër, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Mih 5,1-4a (ose: Rom 8,28-30); Ps 13,6; Mt 1,1-16.18-23)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë admirimi.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen ndaj meje.
Fjala
Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.
Mt 1,1-6.18-23
1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit,
të birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Izaku.
Izakut i lindi Jakobi.
Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.
3 Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara.
Faresit i lindi Esromi.
Esromit i lindi Arami.
4 Aramit i lindi Aminadabi.
Aminadabit i lindi Naasoni.
Naasonit i lindi Salmoni.
5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi.
Boozit i lindi prej Rutës Jobedi.
Jobedit i lindi Jeseu.
6 Jeseut i lindi Davidi mbret.
Davidit i lindi prej ish‑gruas së Urisë Salomoni.
18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:
Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.
19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:
23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,
të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑
që do të thotë: Hyji me ne!”
Ç` po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Jozefi ishte në gjendje të ndryshonte mendjen e vet madje edhe kur e kishte të përcaktuar në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të kujdesshme rrugën e jetës. Ai ishte i gatshëm sikurse Maria për një plan më të madh; ai ishte i gatshëm për t`i lënë mënjanë vendimet e veta, kur Hyji e drejtoi vëmendjen e tij te diçka më e mirë.
- Ndoshta ekzistojnë përfundime te të cilat kam ardhur, të cilat janë logjike dhe kuptimplota, por që kurrë s`mund të përshtaten në kuadrin e ungjillit. Në vend që të përpiqem ta kuptoj këtë vetëm nëpërmjet përpjekjeve të mia, do t’i lutem Zotit të më ndriçojë drita e tij.
Bashkëbisedimi
Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.
Përmbyllja
Të falënderoj o Zot për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua. Emanuel do të thotë “Hyji me ne“. Kjo është deklarata nga më ngushëllueset që kam dëgjuar ndonjëherë. Shpesh herë jam i/e vetmuar dhe përmallohem për shoqëri. Mund të ndjehem sikur nuk është askush rreth meje. Kjo veçanërisht ndodh kur njeriu bëhet i moshuar dhe ndihet sikur është i vetëm në këtë pjesë të udhëtimit të jetës. Por ja ku e kemi Lajmin e mirë: Hyji është me mua! Në këtë është shpëtimi: Hyji kurrë nuk është larg.
Ky mesazh përsëritet vazhdimisht në Shkrimin e Shenjtë, prandaj do ta marr seriozisht, ashtu siç bënë Maria dhe shumë të tjerë. Në vend që të ik nga vetmia, kur vjen ajo do ta kuptoj atë si një rast, mundësi për të qenë me Hyjin. Hyji është me mua – dhe unë do të jem me Hyjin!
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Ta ndjekësh Jezusin me dashuri të pakusht! Të kesh zemër për nevojtarin »