Të kesh zemër për nevojtarin
9 shtator 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Kol 1,24 – 2,3; Ps 62,6-7.9; Lk 6,6-11)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë admirimi.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.
Fjala
Lk 6, 6-11
6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë. Ishte aty një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kishin për çka ta paditnin. 8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë:
“Çohu e dil në mes!”
Ai u ngrit e qëndroi në këmbë.
9 Atëherë Jezusi vazhdoi:
“Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?”
10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij:
“Shtrije dorën!”
Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin mes tyre çka të ndërmarrin kundër Jezusit.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
A nuk është intriguese që autoritetet hebreje presin nga Jezusi të bëjë mrekulli, por ata nuk ishin të interesuar për mëshirën që e përshkonte atë dhe që mbizotëronte në gjithë këtë rast? Jezusi ishte i zemëruar për shkak të praktikës së tyre fetare, e cila ishte aq e pavlerë, aq bosh, e pashpirt. “Po të më mungonte dashuria, s`do të isha asgjë.”
O Zot, sa herë që ia filloj ndonjë lutje, bëj që të ketë në të zemër dhe falje, pajtim. Largonga unë çdo mbeturinë të vetë-keqardhjes për shqetësimet vetjake. Më tërhiq gjithnjë e më shumë në drejtim të një veprimi të mëshirshëm që të angazhohem për të dobëtit dhe ata që vuajnë.
Bashkëbisedimi
Ç` ndodh në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje
dhe ia paraqes të gjitha çka ndiej.
Përmbyllja
Të falënderoj o Zot për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« A jam i/e hapur si Zoja për një plan më të madh? Cuneus prophetarum (1685), një vepër madhore në shërbim të dijes dhe atdhetarisë »