Krishterimi s’është as “okupim kulltuku” e as “sport spektatorësh”

Sep 11 • Meditimi i ditës

11 shtator 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kol 3,1-11; Ps 145,2-3.10-13b; Lk 6,20-26)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala


Lk 6, 20-26

 

20 Jezusi, si i drejtoi sytë e vet mbi nxënësit, thoshte:

“Të lumët ju, o skamnorë,

sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit!

21 Të lumët ju që tani keni uri,

sepse do të ngiheni!

Të lumët ju që tani qani,

sepse do të qeshni!

22 Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë,

kur do t’ju përjashtojnë prej rrethit të tyre,

kur do t’ju poshtërojnë,

kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut!

23 Atë ditë gëzohuni dhe kërceni sepse ju pret shpërblim i madh në qiell.

Vërtet, në të njëjtën mënyrë vepruan edhe etërit e tyre me profetët!

24 Por, vaj për ju, o pasanikë,

sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Vaj për ju që tani jeni të ngopur,

sepse do të pësoni uri!

Vaj për ju që tani qeshni,

sepse do të vajtoni e do të qani!

26 Vaj për ju, kur të gjithë njerëzit do t’ju lëvdojnë, sepse ashtu vepruan edhe etërit e tyre me profetët e rrejshëm!”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hiri, mëshira e Hyjit do të thotë të angazhohesh për drejtësi, për më të varfrit dhe më të poshtëruarit. Jezusi në udhëtimet e tiju takua me familje që mezi mbijetonin dhe s`mund të mbroheshin kundër pronarëve të fuqishme. Edhe ne hasim çdo ditë njerëz të varfër dhe të pafuqishëm. A jemi ndjekësit e tij, mbrojtësit e të varfërve dhe të pafuqishmëve?
  • Çfarë veprimi kuptimplotë do të ndërmarr sotpër të kthyer buzëqeshjen në fytyrën e dikujt që është i varfër apo i thyer? Jeta e krishterë s`është as “okupim kolltuku”, as “sport spektatorësh”.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«