T’i shikosh njerëzit me dashimirësi
13 shtator 2019 – E premte, Shën Gjon Gojarti, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Tim 1,1-2.12-14; Ps 16,1-2a.5.7-8.11; Lk 6,39-42)
Prania e Hyjit
O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.
Më rretho me dashurinë tënde.
Zemra ime le të bashkohet me tënden.
Liria
Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori urtisht.
Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.
Fjala
– – –
Lk 6, 39-42
39 U tha edhe shëmbëlltyrën:
“A mund t’i prijë i verbëri të verbërit? A thua s’do të bien të dy në gropë? 40Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet.
41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd?
42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishten, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”
– – –
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- A e praktikoj në jetën time mënyrën që kur mendoj për njerëzit e tjerë atëherë mendoj vetëm atë më të mirën për ta? A e kam zakon të nxjerr përfundime të shpejta në lidhje me të tjerët. A e vë në provë mënyrën time të zakonshme të krijimit të shpejtë të një gjykimi për të tjerët? Jezusi e përdor humorin për të na ftuar që mos ta marrim veten shumë seriozisht. Imagjinoje traun në syrin tënd, e pastaj përpiqu për ta nxjerrë lëmishten nga syri i dikujt tjetër!
- Zoti e shikon çdonjërin prej nesh nga brenda. Ai na shikon me një vështrim zemërgjerë dhe të dhembshëm. Ai s`na përbuz as s`na dënon për shkak të të metave, dobësive dhe shkeljeve tona.
- O Zot, bëj që sot t`i shikoj me mirësi njerëzit që më bezdisin, ashtu siç i shikon ti ata.
Bashkëbisedimi
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« E keqja kapërcehet vetëm me dashuri Në Kryqin e Krishtit na u dhurua liria për jetë të re »