Të përjetosh mrekullinë për shkak të dashurisë ndaj të afërmit

Sep 16 • Meditimi i ditës

16 shtator 2019 – E hënë, Shën Korneli e Cipriani, ip. MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Tim 2,1-8; Ps 28,2.6b-9; Lk 7,1-10)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në ekzistencën time.

E kundroj praninë e Hyjit që gjithmonë është pranë meje me dashuri,

në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.

Ndalem dhe lus që t`i lejoj

që të ndikoj në ekzistimin tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

Lus për hirin e fesë, të besoj

në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

– – – 

Lk 7, 1-10

1 Pasi i kreu të gjitha këto fjalë të drejtuara popullit, hyri në Kafarnaum. 2 Një centurion e kishte shërbëtorin të sëmurë në fill të vdekjes. Shërbëtorin e kishte fort për zemër. 3 Centurioni, kur dëgjoi për Jezusin, dërgoi disa kryepleq judenj që ta lusin të vijë e t’ia shërojë shërbëtorin. 4 Ata, kur arritën te Jezusi, zunë t’i luten e t’i përluten:

“Meriton t’ia kryesh këtë nder 5 sepse e do popullin tonë. Ai na e ndërtoi edhe sinagogën.”

6 Jezusi shkoi me ta. E kur ishte jo fort larg shtëpisë, centurioni dërgoi miqtë e vet për t’i thënë:

“Zotëri, mos u mundo më tepër se nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim 7 ‑ prandaj edhe nuk e çmova veten të denjë të të dal përpara, por vetëm jep urdhër me një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet. 8 Sepse edhe unë, ndonëse jam vetëm njeri që varem prej tjetërkujt, prapë kam nën urdhër ushtarë dhe i them njërit: ‘Shko!’ ‑ dhe ai shkon, një tjetri: ‘Eja!’ ‑ dhe ai vjen; shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ ‑ dhe ai e bën.”

9 Jezusi, kur i dëgjoi këto fjalë, u mrekullua, u kthye kah populli që po e ndiqte dhe i tha: “Po ju them: as në Izrael nuk e gjeta një fe kaq të madhe.”

10 Kur të dërguarit u kthyen në shtëpi, e gjetën shërbëtorin shëndoshë e mirë.

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • A s`është habitëse të vëzhgosh këtë “të huaj” që është me një mendje me Krishtin dhe aq i shqetësuar për shërbëtorin e vet?A po më lë Jezusi ta kuptoj se unë duhet vetëm ta pyes atë dhe se ai do të më ndihmojë?
  • Edhe pse shikojmë vetëm përmes xhamit të errësuar, ne e dimë se Jezusi është disi i ndjeshëm dhe i vëmendshëm ndaj çdo fëmije të shpërndarë të Hyjit. Statusi i kësaj bote s`do të thotë për të asgjë. Në këtë histori, unë mund të jem ai shërbëtori që po vdes, që dëshpërimisht ka nevojë për ndihmë. Ose mund të jem centurioni që ndërmjetëson me lutje për tjetrin.
  • Pa marrë para sysh se në çfarë mënyre lus mbi këtë skenë, rezultati befasues i lutjes mos qoftë i humbur për mua.

 

Bashkëbisedimi

Fjalët tua, o Zot, më mësojnë  se si duhet të lus.

Urata e mrekullueshme Ati ynë

përmban  gjithçka dua të them.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »