Vizita baritore e Imzot Dodë Gjergjit në Bashkësinë Katolike Shqiptare në Belgjikë 

Sep 16 • Kisha ndër Shqiptarë, Kisha në Kosovë

Ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ka zhvilluar vizitën e parë baritore në Bashkësinë e re Katolike Shqiptare në Belgjikë, në qytetin e Brukselit (7-9 shtator 2019), e cila këtë vit, më 20 janar 2019, me dekretin zyrtar nga dy kishat, Dioqeza Prizren-Prishtin dhe Argjipeshkvinë Mechelen-Bruksel, ka edhe meshtarin e parë zyrtar, Don Kastriot Idrizi, prift i ipeshkvisë sonë, dhe gjithashtu u bë inaugurimi i Bashkësisë katolike në Bruksel, ndonëse mesha në gjuhën shqipe është kremtuar në këtë vend që nga vitet e ’70.

Kjo vizitë ka koinciduar edhe me festën e Shën Nënë Terezës, që kjo Bashkësi e shënon festën e shenjtëreshës sonë për të mbledhur besimtarët e përshpirtshëm të këtij rajoni e më gjerë, por edhe shqiptarët jo katolikë, të bashkëndajnë përvojën e tyre identitare shqiptare. Përgatitjen për vizitë dhe festë, bashkësia ka e bërë me shtegtimin në shenjtëroren në Banneux, te Zoja e të Varfërve, në të cilën është ngritur një statujë e Nënë Terezës në lutje, që nderohet edhe nga populli belg, por me një përkushtim të madhe nga shqiptarët që jetojnë në këto vende.

Kulmi i vizitës baritore të ipeshkvit Imzot Dodë Gjergjit ishte të dielën, më 8 shtator. Kjo është hera e parë që Imzot Dodë Gjergji kremton meshën në bashkësinë katolike në Bruksel, kështu që zemrat e besimtarëve ishin plot emocione dhe të mbushura me gazmend, për faktin se ky kremtim e ka shënuar pranimin zyrtar dhe definitiv të një bashkësie katolike shqiptare në kuadër të argjipeshkvisë së Brukselit. Në Meshë ishin të pranishëm Ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës, NATO-s, Motrat e Nënë Terezës – Misionaret e Bamirësisë, shumë besimtarë e bashkatdhetarë, fëmijë, të rinj… Ipeshkvi, i gëzuar për këtë vizitë tha se ju kam besuar vëllaun meshtar Don Kastriotin, si një vëlla të dashur, ashtu si Shën Pali e besonte Filemonin, që t’iu shërbejë e të krijojë bashkësinë së bashku me ju. Ju jeni – theksoi ipeshkvi – ambasadorët e popullit dhe kishës sonë në kryeqendrën e Europës, që me vlerat tona kombëtare dhe të krishtera të tregoni fytyrën e jetës sonë shqiptare. Le të jeni bijë dhe bija të denja të Shën Nënës sonë Tereze, që krejt botës i dëshmoi krishterimin më autentik, ungjillor të kishës sonë të martire.

Në fund të liturgjisë bëri bekimin me reliket e Shën Nënë Terezës. Çfarë hiri! Por, para kësaj Don Kastrioti falënderoi të gjithë: Ipeshkvin për vizitën e tij baritore, personalitetet, korin, besimtarët dhe vullnetarët. Duartrokitjet ishin të shumta dhe të shpeshta, që e tregonin shprehjen e një entuziazmi të madhe për këtë ngjarje hiri në këtë bashkësi. Mbretëronte, vërtet, një atmosferë lutjeje, mirënjohjeje dhe hareje.

Pas kremtimit të Meshës bashkohemi për festën vëllazërore te çela e kishës. Aty në ambientet dhe kopshtin e bukur të çelës, Imzot Dodë Gjergji përshëndeste, dëgjonte dhe fliste me thjeshtësi të madhe, përzemërsisht, dhe me një buzëqeshje rrezatuese me fëmijët e tij të dashur, që janë të lumtur se kanë një prift shqiptar këtu në Belgjikë dhe të jenë në gjendje të kremtojnë Meshën në shqip çdo të diele.

Dita e fundit e vizitës baritore e ipeshkvit, të hënën, më 9 shtator, ishte rezervuar për vizitat zyrtare në Argjipeshkvi. I shoqëruar nga Don Kastrioti, Imzot Dodë Gjergji u prit nga Kardinali Jozef De Kesel, argjipeshkvi i Mechelen-Bruksel, pastaj me Imzot Jean Kockerols dhe At Eric Vancrayenest, përgjegjës për bashkësitë e huaja në Argjipeshkvinë Mechelen-Bruksel.

Bashkësia Katolike Shqiptare e Brukselit ishte shumë falënderuese ndaj Zotit për këtë vizitë baritore të Ipeshkvit, si një dhuratë e madhe që e përjetuan./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«