Gratë, bashkëpuntore të Jezusit
20 shtator 2019 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Tim 6, 2c-12; Ps 49, 6-10. 17-20; Lk 8, 1-3)
Prania e Hyjit
Ndërsa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe gjithçkaje që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.
Liria
Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.
Ndërgjegjësimi
E pyes veten, ç`po ndjej sot në vete?
A jam ndoshta i lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
– – –
Lk 8, 1-3
1 Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta e ndihmonin Jezusin e nxënësit.
– – –
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Ishte kjo një përzierje interesante e grave. Maria Magdalenë, e cila pat ndryshuar mënyrën e saj të jetës: nga momenti i errët, e ngarkuar me të kaluarën deri te momenti kur u ndal te kryqi i Jezusit dhe dëshmoi për ngjalljen e tij. Krah për krah me Gjoninë, burri i së cilës ishte kontrollues i financave në oborrin e mbretit Herod. Femra që vinin nga skaje krejtësisht të kundërta të shoqërisë. Dashuria ndaj Jezusit është ajo që i lidh ato.
- Jezusi e ndërton Kishën e Tij si pema ku bëjnë fole zogj të llojeve të ndryshme.
Bashkëbisedimi
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« Dashuria e madhe e fiton faljen Jezusi i tha: “Eja pas meje!” »