Jezusi i tha: “Eja pas meje!”
21 shtator 2019 – E shtunë, Shën Mateu, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ef 4,1-7.11-13; Ps 19,2-5; Mt 9,9-13)
Prania e Hyjit
Hyji është me mua. Madje edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Një moment do të pushoj në praninë jetëbërëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.
Liria
O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori me përgjegjësi. Jam i/e lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.
Ndërgjegjësimi
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
– – –
Mt 9, 9-13
9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:
“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”
12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”
– – –
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Mateu tagrambledhës i shërbente një sistemi që inkurajonte lakminë dhe eksploatimin e të varfërve. Hebrenjtë i konsideronin doganierët si njerëz të këqij të cilët po e shkelnin ligjin e Hyjit. Por kur Mateu vendos të ndjekë Jezusin, premton se do të jetë i mirë dhe i drejtë në punë. Ka shpresë për të gjithë ne! Edhe ne sikurse ai mund të kthehemi.
- Vendin e parë në Zemrën e Jezusit e zë mëshira. Kjo reflekton natyrën e Hyjit. Ai e thërret secilin prej nesh për të filluar një mënyrë të re të jetës, që nënkupton mëshirën, drejtësinë, mirësinë, pastërtinë e zemrës. Çfarë është te unë në vendin e parë?
Bashkëbisedimi
Nuk po më vijnë lehtë fjalët, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën e madhe për paqe.
Më ruaj, o Zot. E di se gjithmonë je pranë meje.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjttë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« Gratë, bashkëpuntore të Jezusit Mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare me rastin e 5 vjetorit të vizitës së Papë Françeskut në Shqipëri »