Takimet e Dom Mikelit 2019 në Stubëll e përkujtuan Pjetër Bogdanit në 330-vjetorin e vdekjes!

Sep 21 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Sot, më 21 shtator 2019, në Stubëll të Epërme është mbajtur manifestimin letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit 2019”, i tridhjeti më radhë. Që nga vitet e para të këtij manifestimi struktura e tij thuajse ka mbetur e njëjtë, me disa ndryshime të vogla.

Manifestimi është mbajtur në Kishën e Shën Jozefit, të cilën e ka hapur me fjalën përshëndetëse Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës sonë Prizren-Prishtin, e ka vazhduar me një ligjëratë meditative mbi Pjetër Bogadnin, për rolin dhe rëndësinë e tij dikur dhe sot, të lexuar nga Don Lush Gjergji, që më pastaj pasoi me tribunën shkencore.

Tribuna shkencore u hap me fjalën e famullitarit të Stubllës Don Jeton Thaqi, e cila iu kushtua 330 vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Pjetër Bogdanit, ku ligjëruan profesor e studiues nga Prishtina, Tirana e Shkupi: Prof. Dr. Zeqirja Neziri (Shkup): “Lëvrues i prozës rrëfimore“; Prof. Dr. Ymer Çiraku (Tiranë): “Pjetër Bogdani në studimet shqiptare“; Prof. Dr. Anton Berishaj (Prishtinë): “Vepra e Pjetër Bogdanit dhe poetika e barokut“; Dr. Erenestina Halili (Shkodër): “Filozofia e Imzot Bogdanit në ‘Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi’ “; Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi (Shkup): “Pasqyrimi i toponimeve në veprën ‘Çeta e profetëve’ të Pjetër Bogdanit

Pjesa e dytë e manifestimit ishte “Ora e madhe letrare” e mbajtur në Qendrën Rinore të Famullisë, në të cilën lexuan poezi poetët të ardhur nga të gjitha trojet tona shqiptare, prej të cilave u zgjodhën tri më të mirat.  Në kuadër të kësaj u bë përurimi i tre bustave: Imzot Pjetër Bogdani, Atë Gjergj Fishta dhe Don Gjergj Gjergji. 

Ora letrare ishte e gërshetuar me një program muzikor dhe artistik, që përformuan këngëtari i mirënjohur Malësori dhe një grup studentësh (5) të Prishtinës me këngë qytetare, të udhëhequr nga Don Shtjefën Dodes.

Manifestimi “Takimet e Dom Mikelit 2019” është një ngjarje që mbledh dashamirë të të gjitha llojeve të letrave, arteve etj. etj. nga të gjitha trevat shqiptare. Është një festë popullore e bukur që jep rastin të gjithëve të shprehin talentin e tyre artistik. Tradita dhe kontinuiteti i kësaj ngjarje kulturore vazhdon ta bëjë Stubllën vend historik, traditor dhe kulturor i bashkimit të kultivimit të shpirtit shqiptar./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«