T’i përdorësh paratë për të mirën e tjetrit

Sep 22 • Meditimi i ditës

22 shtator 2019 – E diela 25-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Am 8,4-7; Ps 113, 1-2.4-8; 1Tim 2,1-8; Lk 16,1-13)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se në ç` gjendje jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

 Lk 16, 1-13

 

1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih… ? Nuk mundem! Të dal e të lyp… ? Më vjen turp! 4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ 6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.

9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:

Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Pasuria e mirëfilltë konsiston jo në atë çfarë ruajmë/mbajmë, por në atë çfarë japim.

Sapo një person ka më shumë se që ka nevojë, teprica me të drejtë i takon atij që s`ka.

Ne jemi shërbëtorët e Hyjit. Gjithçka që kemi i takon atij: koha jonë, paraja jonë, aftësitë tona, prona jonë.

Ekziston një proverb afrikan që thotë: “Kur të lutesh, lëvizi këmbët e tua.Është mirë që të jesh i qetë dhe i vëmendshëm në lutje. Por dashuria që rritet në brendësinë time, duke takuar Zotin, në heshtjen e lutjes nevojitet të shndërrohet në vepra dashurie. Shën Injaci thotë: “Dashuria vendoset (gjehet) më shumë në vepra sesa në fjalë.”

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë.
Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »