Ku e ke vendosur dritëzën e jetës tënde?
23 shtator 2019 – E hënë, Shën Pio nga Pietrelçina, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ezr 1,1-6; Ps 126,1-6; Lk 8,16-18)
Prania e Hyjit
Po ja kujtoj vetes, o Zot, se jam në praninë tënde.
Dhe po mbështetem në zemrën tënde të butë.
Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.
Në momentet e mërzisë ngushëlluesi im.
Liria
O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.
Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj më parë,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
– – –
Lk 8, 16-18
16 “Askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.
17 Jo po, s’ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.
18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”
– – –
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- A po më mbush me gëzim vetëdija se jam i/e përmbushur me hir/mëshirë në Jezusin? A zgjohem i/e freskët në ditën e re duke ditur se Ati im i dashur më mban në pëllëmbë të dorës së tij?
- “I mjeri unë, nëse nuk e predikoj Ungjillin” (1 Kor 9,16). A është për mua natyrë e dytë të dëshirosh që ai gëzim të kalojë në të tjerët si një lajm i mirë?
- “Jetët tona fillojnë së ndaluri në ditën kur fillojmë së heshturi për gjërat që janë të rëndësishme“, pat thënë Martin Luter King-u. Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për mua?
Bashkëbisedimi
Dhuntia e të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.
Bëj që këtë dhuratë të mund ta përdori me dashamirësi.
Qofsha i ngadalshëm kundrejt fjalëve të vrazhda që plagosin,
kundrejt fjalëve të thëna në zemërim.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« T’i përdorësh paratë për të mirën e tjetrit Familjet e krishtera janë damari i zemrës së Kishës »