Paragjykimi dhe zhvleftësimi i tjetrit në raport me vetën tonë

Sep 24 • Opinion

Nga M.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Jetojmë në një kohë, në të cilën paragjykimet dhe gjykimet janë të shpeshta, dhe të pranishme thuajse kudo nё pёrditshmёrinё tonё. Ato zёnё njё vend tё konsiderueshёm nё mentalitetin dhe opinionin e gjerё tё shoqёrisё, pjesё e sё cilёs jemi edhe ne, nga bisedat intime dhe private, deri nё shfaqjet publike tё autoriteteve ligjvёnёse e administrative, në forma e mënyra nga më të ndryshmet.

Nisur nga studimet e bëra deri mё sot, rezulton se paragjykimi, gjykimi negativ ndaj tjetrit, ashtu si mё parё, jo vetёm vazhdojnё tё jenё njё shqetësim, dhe njёkohёsisht njё problem i madh pёr shoqёrinё tonё, nё aspektin social dhe ekonomik tё saj, por na shfaqen me njё kryeneçёsi tё pashoqe, dukshëm, dhe mё fort tё pranishme nё çdo aspekt tё jetёs sonё. Pra, në mbarё shoqërinë tonë, ‘virusi’ i paragjykimit,  i gjykimit negativ ndaj tjetrit, është masivisht i përhapur dhe vazhdon të përhapet pa hasur kurrfarë pengese, duke mposhtur lehtё edhe ato pak barriera tё ngritura kulturore dhe sociale.

Natyrshёm, lind nevoja e njё analize dhe trajtimi mё tё thelluar tё këtyre dy elementëve, që pa asnjё hezitim mund të quhen mjaftueshёm shqetёsues, deri diku edhe të rrezikshёm, pasi janё tё pranishёm dhe ndikojnё fort, si në jetën e individit, ashtu edhe nё atё tё shoqёrisё sonё. Nga ky kёndvёshtrim shtrohen disa pyetje, tё cilat vёshtirё se jemi ndalur ndonjёherё dhe t’ia kemi shtruar vetës sonë, si: Çfarë është paragjykimi, gjykimi? Cila është arsyeja që i jepet aq shumë hapësirë? Çfarë të mire marr prej tyre? A mё bëjnë të rritem në aspektin personal, profesional? Apo ndoshta mё sjellin veç lodhje psikike, shpirtërore, fizike dhe emocionale!? Përse bisedat tona janë vetëm paragjykuese e gjykuese?  Kush jam unë të paragjykoj, apo tё gjykoj dikё?

Pas kёsaj, duhet ta ngulisim mirë në kokë, e mos tё harrojmë se: Paragjykimi është një qëndrim negativ si ndaj personit, ndaj anëtarëve apo grupeve tё ndryshme, ashtu edhe ndaj çfarёdo fenomeni natyral apo shoqёror. Është një mënyrë të menduarit e mbyllur, e ngurtë dhe irracionale. Kurse gjykimi, është  mendimi që formojmë për dikë a për diçka, dhe që e shprehim si vlerësim përfundimtar. E në fakt, nuk kemi baza e argumente, por thjesht ndalemi vetëm në skemat që kemi krijuar apo krijojmë në mendjen tonë.  

Ambrose Bierce thotë: Paragjykimi është një opinion i paqartë e pa mbështetje të vlefshme. Pra, është një vizion, i cili nuk është aspak i sigurt dhe pozitiv. E duke pasur në vetvete negativitetin, ai e kufizon, e lëndon dhe e ngarkon emocionalisht personin. Nuk e lejon të jetë i lirë, nuk e lejon të ketë njё mendje tё hapur, nuk e lejon të jetë vetvetja,  e pengon në përjetimin e shijimit të sё bukurës, të sё drejtës dhe të sё mirës. Nuk e lejon atё,  ta shohë e ta përjetojё të vërtetën, ashtu siç ёshtё, e zhveshur prej paragjykimit dhe gjykimit tё tij.

Paragjykimi dhe gjykimi, janë ato që e mundojnë, e trishtojnë dhe e lodhin personin, jo vetëm atë që paragjykon e gjykon, por edhe të paragjykuarin e të gjykuarin. Në të shumtën e rasteve këto dy elementё janë të padukshëm, por që shkaktojnë dëme të mëdha te personi në tërësi. E theksoj jo vetëm te paragjykuesi, gjykuesi por edhe tek i paragjykuari dhe i gjykuari. Duke parë që kanë një funksion negativ, është shumë e qartë të kuptohet se pengojnë në rritjen personale tё individit, si nё atë shpirtërore, psikike, emocionale e shoqërore, e gjithashtu ndikojnë në jetën profesionale tё tij. Janë dy elementё që ngrenë mure, si përball vetes, ashtu edhe përballë tjetrit, pra duke u bёrё kёshtu, qëndrime  mjaft të  rrezikshme për veten dhe shoqërinë.

Gabriel Gracia Marques thotë: Ne njerëzit jemi skllevër të dobët të paragjykimit. E kjo lind nga injoranca, nga ngurtësia e mendjes, nga mos guximi, nga mungesa e ndryshueshmërisë e gjithashtu nga mungesa e qëndrueshmërisë. William Haylitt thotë: Paragjykimi është i biri i injorancës. Dy mendje tё ndritura qё na bëjnë të kuptojmë se atyre nuk duhet t’u jepet hapësirë, sepse sa më shumë t’u jepet hapësirë nё tё mendurit dhe mentalitetin tonё,  ato mund të na fusin  në njё vorbullë tё tillё marramendёse, prej  së cilës vështirë të mund tё dilet.

Nëse ndalemi dhe reflektojmë për paragjykimin, gjykimin do të kuptojmë, se ashtu si çdo qëndrim tjetër, edhe ato përbëhen nga tre komponentё: të menduarit, emocionet dhe sjelljet. (Psh. Ju mund të keni paragjykime rreth njerëzve të shëndoshë, që hanë shumë apo janë dembelë (të menduarit, bindjet), ndjeni neveri (emocion), dhe refuzoni të shoqëroheni me të, apo ta pranoni në rrethin tuaj shoqëror (sjellje). Kёshtu, kur paragjykojmë, gjykojmë, brenda nesh aktivizohen këta tre elementё: ai kognjitiv (tё menduarit), emocional dhe ai i sjelljes, çka do të thotë përfshihet e tërё qenia jonё.

 Veçanёrisht, komponenti i të menduarit bëhet shumë aktiv dhe i pa shmangshëm prej paragjykimit, aq sa arrin deri tek stereotipi[1]. E kështu arrihet deri tek bindja që stereotipi duket mishërim i së vërtetës.  Çka do të thotë: krijojmë skema, figura e imazhe tona për të kuptuar botën që na rrethon, sepse kjo na lejon që informacionin ta përpunojmë më shpejt, por qё nga ana tjetër na bën që ta shtrembërojmë informacionin, ashtu si ne na përshtatet dhe sipas dëshirës.

Për të kuptuar se si krijohen e ngrihen skemat tek personi, nё shoqёri, ju këshilloj që të lexoni një pjesë në Shkrimin e Shenjtë (Bibël) tek libri i Danielit profet;

Ky është rreziku që ekziston te stereotipi. Ne pranojmë informacionin që na përputhet me skemën që kemi krijuar, dhe lëmë mënjanë apo injorojmë informacionin e saktё. E pastaj, shpesh  përdoret për të justifikuar ndjenjat dhe sjelljet ndaj personit apo ndaj grupit. Por, ajo që kërkohet është, personi duhet të vetëdijesohet për ekzistencën e stereotipit e të kuptojё funksionin e tij, pastaj të angazhohet për të dalë nga skema apo kurthe të tilla. Suzana e gjykimi i Danielit (Dan 13, 1-64).

Carl Gustav Jung thotë: Të mendosh është e vështirë prandaj shumica e njerëzve gjykojnë.  Pse ndodh kjo? Sepse, të mendosh kërkon më shumë kohë, më shumë përqendrim tek vetja, më shumë besim, më shumë njohje, më shumë sinqeritet, e gjithashtu më shumë arsye. Mirёpo, pikёrisht, për të mos i futur në punë të gjitha këto, çfarë bën njeriu? Ndalet dhe paragjykon e gjykon, duke e gënjyer veten dhe tjetrin se është duke thënë, e duke ditur, diçka të vërtetё. Nё fakt, asgjë sa ёshtё thёnё mes tyre, nuk ështё e vërtetё, e për fat të keq kjo shmangie e realitetit e çon njeriun deri në ndryshimin e sjelljes kundrejt personave e grupeve të ndryshme.

Arsyeja e fortё qё na shtyn tё flasim për paragjykimin, gjykimin, nuk ёshtё thjesht pёr t’i evidentuar dhe identifikuar ata si; racialё, fetarё, politikё, rajonalё dhe gjeografikё, gjuhёsorё, gjinorё e seksualё, e tё tjera, por ёshtё vetёdijesimi i individit se paragjykimi, gjykimi, çfarëdo tjetёr që të jetë, është i dëmshëm, sepse prej tyre burojnё; diskriminimi, bullizmi, përjashtimi, nënçmimi, fyerja, injorimi, përçmimi, shpifja, gënjeshtra, që krijojnë plagë nё shoqëri dhe e tjetёrsojnë individin.

Paragjykimi është një lloj mësimi emocional, i cili fillon herët, qysh në moshën e fëmijërisë, për këtë arsye është shumë i vështirë të shmanget plotësisht edhe në moshën e pjekurisë, madje edhe kur kuptohet se është i gabuar:Emocionet e paragjykimit formohen në fëmijëri, ndërsa teoritë që përdorim për t’i justifikuar vijnë më vonë”.[2]  

Ngulitja sё hershmi e paragjykimeve tek neve e bёn shumё tё vёshtirё, thuajse tё pamundur ndryshimin, apo shmangien prej tyre, aq sa Albert Einstein do tё shprehej se: Është më e thjeshtë të shpërbësh një atom se një paragjykim.

Një përgjegjësi të madhe për këtë gjё e ka padyshim familja, sepse fëmija aty mëson sё pari rreth tyre, e nëse dëgjon prindёrit të jenë paragjykues, gjykues, kritikues, injorues, krahasues, përçmues etj., ndaj dikujt ose diçkaje, ёshtё i prirur qё t’i imitojë ata. Sjelljet dhe modeli qё ndjek nё vogёli, çdo gjë që dëgjon dhe sheh nё familje, kanё njё ndikimi tё madh tek ai. Ndaj, nëse fёmija nuk i dëgjon apo nuk i sheh këto gjëra në familje, atëherë ai ka më shumё mundёsi që mos të bёhet paragjykues e gjykues negativ nё tё ardhmen, ndaj vetes dhe tjetrit. Arsye kjo, pse duhet që para fëmijëve, nga ana e prindёrve, tё ketё sa më shumë kujdes dhe t’i shmangin sjelljet, apo diskutimet paragjykuese, gjykuese dhe krahasuese, sepse ato bёhen pengesё në formimin dhe edukimin e shëndetshёm të tyre.

Sigurisht, qё nё formimin dhe edukimin e brezit tё ri kanë një rëndësi të veçantë dhe një përgjegjësi të madhe institucionet arsimore dhe ato sociale. Mbi të gjitha, një mësim shumë konkret na e jep edhe  Jezusi në ungjillin e Mateut, që porosit duke thënë:

Mos gjykoni që të mos gjykoheni! Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! (Mt 7, 1-2)

Mirëpo, për ta zbutur njё fenomen tё tillё, interes të veçantë në marrëdhëniet sociale kanë shfaqur e vazhdojnë të shfaqin psikologët, e në mënyrë  më të theksuar, psikologët socialё. Kjo nuk do të thotë që neve, të cilët nuk i pёrkasim këtij profesioni, nuk duhet të angazhohemi, e tё mos mbajmё fare përgjegjësi, por duhet tё pёrpiqemi për t’i luftuar dhe pёr t’i  minimizuar si fenomene aty ku jetojmë e veprojmë, në mënyrë të vazhdueshme, duke iu kushtuar sa më pak hapësirë në përditshmёrinё dhe jetёn tonё shoqёrore. Nicolas Camfort thotë: Kushdo që shkatërron një paragjykim është bamirës i njerëzimit.  

Të krishterët, Shkrimi i Shenjtë, i fton dhe u kujton në mënyrë të vazhdueshme që të kenë sa më shumë kujdes ndaj paragjykimit e gjykimit. Të kenë sa më shumë kujdes kur marrin guximin ta drejtojnë gishtin tek të tjerët, pa u ndalur për të parë më parë veten e tyre. Luka ungjilltar në shkrimet e tij, na fton që të reflektojmë më shumё para se të marrim guximin për të paragjykuar e gjykuar duke thënë: Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në sy tënd?Si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, ndal ta heq lëmishten, që ke në sy ti që nuk e sheh traun në syrin tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd. (Lk 6, 41-42)  Ai kërkon që më parë të merremi me jetën tonë, me dobësitë tona, pastaj të marrim guximin për t’iu drejtuar tjetrit. Sepse, nëse secili prej nesh do të merrej me veten, me punët e veta, nuk do të kishte as guxim, dhe as kohë, për ta paragjykuar e gjykuar tjetrin.

 Një pjesë tjetër shumë e bukur, që na  ndihmon të reflektojmë, është pjesa e ungjillit të Gjonit: Jezusi dhe gruaja e zënë në kurorëthyerje, të cilën skribët  e farizenjët e sjellin para Jezusit duke e gjykuar për atë çfarë kishte bërë, e presin që edhe ai ta gjykoj. Por, Jezusi vepron ndryshe, nuk flet shumë, por i nxit që t’i thirrin mendjes duke u përgjigjur:  Kush është prej jush pa mëkat, le ta qes i pari gurin në të! Ata kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve.(Gjn 8,7.9). Kurse Shën Pali, në letrën drejtuar Romakëve na kujton duke thënë: Duke e gjykuar tjetrin, dënon vetveten, mbasi ti që gjykon i bënë të njëjtat gjëra. (Rom 2,1). E vazhdon: Kush je ti që guxon të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? (Rom 14,4).  E ti, pse e gjykon vëllanë tënd? Pse ti e përbuz vëllanë tënd?(Rom 14,10) Mos të gjykojmë më njëri tjetrin…(Rom 14,13).

Mjerisht, në të shumtën e rasteve, ne paragjykojmë, gjykojmë sepse nuk e njohim personin, grupin, situatën, por ndalemi vetëm në skema që kemi krijuar me vite, dhe nё atë që na kap syri. Gjoni ungjilltar, na fton duke thënë:  Mos gjykoni më  sipas dukjes së jashtme…(Gjn 7,24) e ajo që kërkohet është që personi duhet të shikojё, të dëgjojё, e ta pranojё tjetrin pa paragjykuar e gjykuar. Kështu, para se të paragjykoj, gjykoj dhe akuzoj, të përpiqem që ta kuptoj, ta njoh dhe ta pranoj tjetrin. Ky duhet të jetë qëllimi i secilit prej nesh në shoqëri, sepse të kuptuarit lind tolerancën, mirëkuptimin, mirësinë, ndjeshmërinë, faljen, respektin, dashurinë. Gjithashtu, kërkohet që të mos heshtim përballё njё paragjykimi, njё gjykimi, dhe nëse nuk mund të bëjmë këtë gjё, tё paktёn të mos jemi bashkëpunёtorё apo mbështetës të këtyre fenomeneve.

Mos të harrojmë, se një nga burimet e paragjykimit, gjykimit, është prirja njerëzore për ta ndarë botën më dysh ne dhe ata, ose sipas konceptit brenda grupit apo jashtë grupit. Thuhet se paragjykimi, gjykimi, gjenden tek personat kategorikё dhe që kanë nevojë për një shkarkim të frustrimeve[3] të tyre personale, dhe nga mungesa e vetëvlerësimit. Por, as pjesa tjetёr e shoqёrisё nuk ёshtё imune, e paprekshme prej tyre.

 

Si të heqim dorë nga paragjykimi?

Të hiqet dorë  nga paragjykimi, gjykimi, nuk është e thjeshtë dhe e lehtë, sidomos për ata persona që e kanë bërë si “profesion” njё qasje tё tillё ndaj tjetrit dhe shoqёrisё. Mirëpo, pavarësisht vështirësive që mund të hasen gjatë edukimit, formimit të vetes në këtë aspekt, mund të thuhet se asgjë nuk është e pamundur.

 Ajo çka lipset nё kёtё rast, është sё pari të pranojmё që jemi paragjykues, gjykues, e mё tej të kemi një vullnet dhe qëndrueshmëri tё palёkundur për t’i thënë vetes sonё: Mjaft! Gjithashtu është e domosdoshme të kalohet nëpër mend porosia që Jezusi na jep përmes ungjillit të Mateut: Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit bëni edhe ju atyre (Mt 7, 12). Do të mjaftonte vetëm kjo, për t’i thënë stop këtyre fenomeneve që shkaktojnë plagë në shoqëri. Nëse unë, ti, ne,  nuk kemi dëshirë të paragjykohemi, gjykohemi, pse atёhere e bëjmë për të tjerët?

Luigi Pirandello, në shkrimet e tij na jep një mesazh mjaft domethënës: Para se të gjykosh jetën time apo karakterin tim, vish këpucët e mia, ec rrugëve ku kam ecur unë, jeto dhimbjen, dyshimet, të qeshurat e mia. Jeto vitet që kam jetuar unë, rrëzohu atje ku jam rrёzuar dhe ringrihu ashtu si unë. Pasi të kesh bërë të gjitha këto, pyete veten nёse mund të paragjykosh, apo tё gjykosh dikё, kushdo qoftё ai apo ajo?

Në letrën e Jakobit, gjejmë një pyetje, tё cilёn mund t’ia drejtojmё vetes sonё, dhe qё na ndihmon nё pёrpjekjen tonё, pёr të hequr dorë nga paragjykimi dhe gjykimi: E ti kush je që gjykon të afërmin tënd? (Jak 4,12)

Nё mbyllje dёshiroj tё citoj Dr. Johanon, i cili thotë: Edhe vetë Zoti, zotërinj të nderuar nuk gjykon para vdekjes. E përse do të duhej të gjykonim unë dhe ti?![4] Mos gjykoni para kohe para se të vij Zoti! (1Kor 4,5). Ktheje shikimin paragjykues, gjykues më parë nga vetja, para se ta bësh për të tjerët! Ndalu dhe bёja vetes pyetjen, sa herё tё jetё e nevoshjme: Kush jam unë që të paragjykoj e gjykoj? Thuaji STOP këtij fenomeni!/drita.info

 

 

REFERENCA

Anita Woolfolk, Psikologji Edukimi, Tiranë, 2001

Daniel Goleman, Intelegjenca Emocionale, Prishtinë, 2018.

Terry F. Pettijohn, Psikologjia / Një hyrje konciye, Tiranë, 1996.

Edmond Dragoti, Psikologjia Sociale, Tiranë, 1999.

 

—————————————

[1] Stereotipi; 1. Ide apo opinion paragjykues i çfarёdollojshёm,  i tepruar,  i parangritur  nё mёnyrё tё ngurtё, dmth i pabazuar  nё pёrvojёn  e drejpёrdrejtё, qё nuk buron nga vlerёsimi i rasteve tё veçanta  mbi individё apo grupe shoqёrore, dhe i vёshtirё pёr t’u ndryshuar.2. Skemё e fiksuar dhe pёrsёritёse, që organizon njohuritё  apo perceptimin rreth një kategorie njerëzish.

[2] Thomas Pettigrew, Intelegjenca Emocionale, Daniel Goleman, psikolog social pranё Universitetit të Kalifornisë, Santa Cruz,  f. 190.

[3] Frustrimi;  gjendje që vjen nga mos realizimi i qëllimeve. Kur personi pengohet  të arrijë qëllimin e tij.

[4] Psikologjia e suksesit I,  Dal Carnegie , f.19.

Shpërndaje

Comments are closed.

«