Dashuria i del zot ligësisë së njeriut
27 shtator 2019 – E premte, Shën Vinçenci i Paulit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Agj 1,15b – 2,9; Ps 43,1-4; Lk 9,18-22)
Prania e Hyjit
Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Hyjit?
Liria
Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
– – –
Lk 9, 18-22
18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ‑ ishin me të vetëm nxënësit e tij ‑ ai u bëri këtë pyetje:
“Kush thonë njerëzit se jam unë?”
19 Ata iu përgjigjën:
“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”
20 “Po ju ‑ i pyeti atëherë ata ‑ kush mendoni se jam unë?”
U përgjigj Pjetri:
“Ti je Mesia i Hyjit!”
21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.
22 E vazhdoi:
“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”
– – –
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Shën Lukën e tërheq lutja. Kështu që çdo vendim kyç të jetës së Jezusit e mbështjellë me lutje.
- Shën Luka na inkurajon që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë – të lusim, nëse duam të gjejmë rrugën tonë drejt Hyjit.
- Ta gjesh Zotin në vuajtje është diçka e vështirë. Kur Jezusi flet sesi duhet t`i nënshtrohet vuajtjeve të mëdha, ai dëshiron të thotë që këtë e vështron si të qenit pjesë e planit të Hyjit.
- Tradita e krishterë flet për “dinamikën e Kryqit.” Kjo do të thotë se vuajtja e pashmangshme, kur pësohet me durim, i sjell të mira botës, sepse ajo zbulon dashuri të madhe. Do të përpiqem që të kem besim se kjo është kështu, të besoj në dëshminë e gjithë asaj që ne e quajmë e Premtja e Shenjtë (e Madhe). Atje, dashuria e madhe i del zot, e mposht ligësinë e njeriut, dhe kështu shpëtohemi.
Bashkëbisedimi
Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.
Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« Në Jezusin unë kam gjetur mikun, vëllain dhe mbretin Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 1. Të rinjtë dhe familja »