Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 1. Të rinjtë dhe familja

Sep 27 • Bota e të rinjve

Nga Mihály Szentmártoni*, Romë

 

Përkundër dallimeve që mund të shfaqen nga kushtëzimet personale, familjare dhe kulturore, mund të pohojmë në pika të përgjithshme se, të gjithë adoleshentët ballafaqohen me katër detyra themelore gjatë zhvillimit të mëtutjeshëm: 1. Të pranojë ndryshimet trupore dhe seksualitetin, duke e inkorporuar në unin e tij personal trupin e ri dhe impulset e tija; 2. Të krijojë identitetin e ri, tu e lanë identitetin fëmijëror, që të mund të bashkohet në botën e jashtme. Është krejt normale që gjatë kësaj periudhe të ekzistojë një identitet jo kompakt/i shpërndarë, si një kohë kur ata i provojnë disa role në funksion për personin që do ta kenë; 3. Duhet të bëhen të pavarur nga prindërit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por gjithashtu edhe në aspektin emocional. Kjo braktisje apo përhumbje e pjesshme emocionale nga anëtarët e familjes do të mundësojë më vonë të investojë në energji emocionale në individë tjerë, para së gjithash tek partneri i jetës, por edhe tek ndonjë plan për të ardhmen (p.sh. meshtaria apo regulltaria); 4. Duhet ta krijojnë hierarkinë e vlerave dhe të qëllimeve, e cila do të ofrojë përgjigje në pyetjet e mëdha dhe kuptimin e jetës.

Po u vëmë në lëvizje për t’i gjetur shkaqet e papërgjegjësisë rinore, mund të themi se pengesat apo përhumbjet mund t’i gjejmë në secilën prej këtyre fushave të cekura: në fushën fiziologjike, pengesat në aspektin e seksualitetit; në fushën e identitetit personal, pengesa për sa i përket pyetjes “kush jam?”; në fushën e ndjeshmërisë, në aspektin e përhumbjes së mosvarësisë, përkatësisht kundërshtimit ndaj prindërve; në fushën e vlerave, përhumbja në aspektin e kuptimit të jetës. T’i shohim më detajisht këta faktorë që mund ta përmirësojnë, apo të stopojnë zhvillimin e përgjegjësisë te të rinjtë.

 

Familja

Familja është një sistem i tillë shoqëror në të cilin të gjithë anëtarët janë të ndërvarur: ajo i krijon normat e veta për sa i përket sjelljes së pranueshme, secilit anëtarë ia cakton vendin dhe rolin, por gjithashtu vë kufij dhe kërkesa. Mjeti kryesor i kontrollit për të siguruar sjelljen e kërkuar është dhënia, përkatësisht mosdhënia e mbështetjes, e cila bëhet një mjet i fuqishëm i shoqërizimit.[1] Shumica e hulumtimeve në raport me zhvillimin e fëmijëve fokusohen në hulumtimin e rolit të nënës, duke e lenë anash në njëfarë mase rëndësinë e rolit t’atit, aq më pak merren me rolin e vëllezërve dhe motrave; për më tepër, duhet të përmendim edhe anëtarë tjerë të sistemit familjar, siç janë gjyshet, gjyshërit dhe të afërmit.

Kur bëhet fjalë për rolin e nënës, jo rrallë teprohet në kuptimin që çdo mossukses i fëmijëve, posaçërisht i të birit, fajësohet nëna: nga agorafobia deri te depresioni, nga piromania deri te perversioni seksual, faji përherë i mëveshët nënës, posaçërisht në kontekstin e psikanalizës. Hulumtimet zakonisht nuk e pohojnë këtë stereotip mbi fajësimin e tërësishëm të nënës. Posaçërisht janë dy mite mbi rolin e nënës: a) nëna me kujdes të tepruar, e cila nuk lejon hapësirë të lirë për zhvillim të pavarur të personalitetit, dhe b) nëna e munguar, e cila nuk kujdeset për fëmijën e saj. Studimet e gjata kanë treguar një ndërlidhje të caktuar mes vështirësive të mëvonshme në zhvillimin e personalitetit, por megjithatë jo në atë masë sa të mund të flitet për lidhjet shkakore.[2]

Sa i përket rolit të t’atit, duhet të themi se rëndësia e tij varion tek moshat e fëmijëve, përkatësisht të rinjve. Etërit që shpesh komunikojnë me fëmijët e tyre, më vonë bëhen agjent më të besueshëm të shoqërizimit. Sa më shumë që rritet fëmija, i ati bëhet më i rëndësishëm si model për mësimin e roleve sociale dhe psikoseksuale. Ekziston një vazhdimësi e caktuar e ndërveprimit ndërmjet atit dhe të birit në fëmijërinë e hershme dhe në moshën e mëvonshme; nëse i ati e neglizhon fëmijën në fëmijërinë e hershme, vështirë do të mund më vonë të vë një kontakt të besueshëm me të. Sido që të jetë, i ati nuk mund të konsiderohet njëlloj zëvendësimi i vagët i rolit të nënës, sepse ndikimi i tij është i veçantë dhe i patejkalueshëm në zhvillimin e fëmijëve dhe rritje e tyre.[3]

Përveç këtij ndikimi të drejtpërdrejtë, i ati luan rol edhe jo të drejtpërdrejtë në kuptimin e mbështetjes së nënës: marrëdhënia e tij negative ndaj nënës ka ndikim destabilizues në gjendjen emocionale të gjithë sistemit familjar. Kurse mungesa e atit mund të krijon pengesa për zhvillimin psikik të fëmijës, në mënyrë të veçantë në krijimin e ndjenjës së caktuar të fajit. Problemi themelor i ndarjes është pikërisht shkatërrimi i sistemit familjar, për të cilën fëmija, në përputhje me atë logjikën e të menduarit fëmijëror, ndjehet bashkëfajtor, sepse nxjerr përfundimin se prindërit zihen për shkak të tij.[4]

Rreth viteve të pesëmbëdhjeta shfaqet nevoja e fuqishme e vetëpërcaktimit. I riu në njëfarë mënyre eksperimenton me botën e jashtme, kurse familja i shërben si trampolinë, ndonjëherë si trampolinë shpëtimi për të cilën mbahet kur gjërat shkojnë keq. Dalja e tij nga shtëpia dhe kthimi i tij në shtëpi, janë të ngjashme me tentimet e zogut të vogël për fluturim. Disa adoleshent sillen në mënyra të pazakonshme: në shikim të parë i kundërshtojnë fortë vërejtjet dhe kërkesat e prindërve, por njëkohësisht janë të kujdesshëm për çdo fjalë të tyre. Me fjalë tjera, i provojnë kufijtë. Gjithsesi, modeli më i mirë i prindërve është atyre që shprehim shqetësim se sa atyre që lejojnë gjithçka.[5]

Familja ka shumë fytyra: dashuria, besueshmëria, prania, fati, por gjithashtu edhe ndarje, ngatërresa të përditshme dhe paaftësi për komunikim. Rotraud A. Perner, juriste, hulumtuese sociale dhe psikoterapeute na tërheq vërejtjen për shkaktarët më të shpeshtë që familjet nuk funksionojnë. Shkakun primar e gjen te biseda/gjuha, më saktë, te komunikimi i drejtë që duhet mësuar.[6]

Prindërit nganjëherë e kanë të vështirë të kuptojnë parimin themelor të zhvillimit psikik, që do me thanë se familja është në fakt fuqia konservative, e cila dëshiron të ruaj fëmijën për vete, ku më shumë dalin në shprehje vlerat e unitetit familjar, lidhjet ndërpersonale dhe vazhdimësia me të kaluarën. Përkundrazi, “jeta jashtë”, në thelb, është e drejtuar kah e ardhmja, kah perspektivat e reja, drejt asaj që dikush mundet dhe duhet të bëhet.

Detyrë e madhe e të riut është të kuptojë vetveten e njëkohësisht të arrijë kontroll sa më të lartë mbi vetën. Në shpirtin e tij ndodhin ndryshime të mëdha: i duhet përsëri të vlerësojë reagimet ndijore të tijat (p.sh. të kuptojë se nervozizmi i pedagogut të tij nuk do të thotë se ai është hidhëruar me të), shqetësimi i qëllimshëm si mekanizëm mbrojtës (p.sh. fillon të lexojë derisa prindërit grinden). Në raste të këtilla, ai zakonisht ka një imazh negativ për veten e vet, sepse vetëkontrolli nuk është i plotë ende, prandaj bën krahasime me të tjerët, e këtë mund ta bëjë vetëm në rrethin e miqve.  

Nga reflektimet e mësipërme do të donim të formulojmë disa parime edukative. Struktura familjare në vetvete do të thotë një atmosferë edukative. Prindërit, po edhe edukatorët tjerë, jo rrallë theksojnë shumë të a. q. edukimi direkt, që nënkupton se ata do të donin të shihnin menjëherë frytet e ndërmarrjes edukative, prandaj edhe japim në tepri mësime, qortime, dënime. Por gjithashtu, nëse jo më i rëndësishëm, është edukimi indirekt: atmosfera e përgjithshme në shtëpi, marrëdhënia mes prindërve, raporti në farefisni, të afërmit, miqve etj. I riu zhvillohet e rritet në këtë atmosferë. Është një këshillë ngushëlluese që na vjen nga psikologët në këtë drejtim se te i riu ekziston e njëjta nevojë, sikurse te prindërit; nevoja për vatrën shtëpiake. Një i ri i shëndosh dhe i arsyeshëm nuk e konsideron familjen e vetë armike, por mbështetëse për të bërë hapin e rëndësishëm për ushtrimin e autonomisë që po e pret./drita.info

 

*Është jezuit, psikolog dhe atë shpirtëror, me një përvojë të gjatë në fushën e konsultave psiko-shpirtërore. Aktualisht është profesor i psikologjisë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë.  Ky shkrim është pjesë e librit të tij të njohur për të rinjtë në gjuhën kroate: “Svijet mladih. Psihološke studije”, i botuar në Zagreb, në vitin 2007. Libri është në proces të përkthimit në gjuhën shqipe nga Don Shtjefën Dodes & Don Fatmir Koliqi.

 

——————————–

[1] Khs. R. Canestrari, Psicologia generale e dello sviluppo, Bologna, 1984, 568.

[2] Khs. M. Oubaid, “Il dilemma materno”, Psicologia contemporanea, 15 (1988), 4-7.

[3] Khs. T. Ficeto, “Reinventare la paternità. Per una cultura dei novi padri”, Rivista di Scienze dell’Educazione, 38 (2000)15-33. Modele të reja të rolit të atësisë propozon edhe profesoresha e njohur e filozofisë E. Badinter, Identität des Mannes. Seine Natur, seine Seele, seine Rolle, München, 1997.

[4] Khs. C. Benard – E. Schlaffer, “L’alibi di papa”, Psicologia Conteporanea, 21 (1994), 57.

[5] Khs. T. Anatrella, Adolescences au fil des jours, Paris, 1992, 57-59.

[6] R. A. Perner, Darüber spricht man nicht. Tabus in der Familie. Das Schweigen durchbrechen, München, 1999.

Shpërndaje

Comments are closed.

«