Feja nuk është iluzion, por realitet i thadruar në zemër

Sep 28 • Meditimi i ditës

28 shtator 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Zah 2,5-9a.14-15a; Ps: Jer 31,10-12ab.13; Lk 9,43b-45)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

– – –

Lk 9, 43-45

 

Ndërsa të gjithë po mrekulloheshin për gjithçka bënte, Jezusi u tha nxënësve të vet:

44 “Thadroni mirë në zemër këto fjalë që po ju them: Biri i njeriut do të bjerë në dorë të njerëzve.”

45 Por ata nuk e morën vesh këtë fjalë. Kjo për ta mbetej fshehtësi e nuk e kuptonin. Madje kishin frikë ta pyesnin për këtë fjalë.

– – –

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Dishepujt nuk ishin të përgatitur për Pasionin (mundimet) e Jezusit. A jemi ne të gatshëm për mundime nëpër të cilat sot janë duke kaluar kaq shumë njerëz? Kemi nevojë për një mënyrë të re të shikimit. Kur jemi të thyer nga hallet e dertet, atëherë Jezusi është duke ecur shumë afër nesh, bashkë me. Ai na jep zemër, forcë për të bërë një hap më shumë. Jezusi thotë: “Hiri im të mjafton.”
  • Lajmet e këqija mund të vijnë nga mjeku; ndoshta humbasim diçka të rëndësishme; mund të na tradhtojnë miqtë më të mirë. Megjithatë, ai shkon para nesh dhe na tregon se si të durojmë e të ballafaqohemi me këtë realitet.

Në duart e tua, o Zot, po e vë fatin tim të mirë dhe fatin tim të keq.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë s`di çka do të thosha në takimin personal me ty.
Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.
E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur
dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

«