Ndjenja për tjetrin hap shikimin për të matanshmën

Sep 29 • Meditimi i ditës

29 shtator 2019 – E diela 26-të gjatë vitit C, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Am 6,1a. 4-7; Ps 146, 6c-10; 1 Tim 6,11-16; Lk 16, 19-31)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq tepër i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin, pastaj do të dëgjoj…

– – – 

Lk 16, 19-31

 

19 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët.

22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.

23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ 25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. 26 Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që do të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’

27 Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim eti, 28 se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ 29 Abrahami iu përgjigj: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ 30 Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish. ’“

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Njeriu i pasur në histori është i preokupuar me vetveten. Jezusi na paralajmëron se në vend që të kësaj ne duhet të angazhohemi për drejtësi dhe të kujdesemi për të tjerët.
  • Ta shikojmë tekstin e mëposhtëm:
    “Unë dhe gruaja ime; Gjoni, biri im dhe gruaja e tij; ne katër; askush më shumë!
    A mund të më gëlltitë plotësisht, edhe mua, jeta ime e vogël e preokupuar vetëm me vetveten dhe të mos arrij t`i vërej nevojat e atyre rreth meje dhe klithmat e dhimbjes në botë? … Mjafton të jesh një plesht kundër padrejtësive. Një numër i mjaftueshëm i pleshtave të vendosur që pickojnë në mënyrë strategjike mund të bëjnë që edhe qeni më i madh të ndihet në siklet. Kështu edhe ne me veprimtarinë tonë mund të kontribuojmë në transformimin e një kombi të tërë.” (Marian Wright Edelman)

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »