Thjeshtësia e çiltër të ban njeri të madh
30 shtator 2019 – E hëne, Shën Jeronimi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zah 8,1-8; Ps 102,16-21.29.22-23; Lk 9,46-50)
Prania e Hyjit
“Ja, qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.
Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!
Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.
Liria
O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.
Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
Lk 9, 46-50
46 Ndër ta lindi kjo çështje: cili prej tyre do të ishte më i madhi. 47 Jezusi, duke e ditur ç’ mendime u vlonin në zemër, e mori një fëmijë, e afroi pranë vetes, 48 dhe u tha:
“Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua, e kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua. Përnjëmend, kush është ndër ju më i vogli, ai është vërtet i madh.”
49 Atëherë Gjoni mori fjalën dhe i tha:
“Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në Emrin tënd. Ne ia ndaluam, sepse nuk vjen pas teje me ne.”
50 Jezusi iu përgjigj:
“Mos ia ndaloni, sepse, kush nuk është kundër jush, është me ju.”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Jezusi i kthen të gjitha sendet në të kundërtën. Për të Mbretëria e Hyjit është vlera e vetme absolute. Fuqia krijuese e Shpirtit të Shenjtë është vepruese në çdo person, madje edhe në ata që nuk janë të krishterë. A mund të gëzohem për këtë?
- “Në mbrëmjen e jetës do t’i nënshtrohemi testit të dashurisë” (Shën Gjoni i Kryqit).
- Çfarë e bën një person të madh? A është pushteti, pasuria, aftësitë, bukuria, talentet e këtij apo atij lloji? Në Mbretërinë e Hyjit madhësia e dikujt matet me aftësinë e tij për t’iu shërbyer të tjerëve. Prandaj, të vegjlit janë njerëzit e tokës, ata që na shërbejnë, ata që në fund tregohen se paskan qenë të mëdhenj! A do të jem edhe unë i madh në Mbretërinë e Hyjit?
Bashkëbisedimi
E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.
Ç` më nxiti më së shumti të mendoj?
Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime
ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.
Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit të Shenjtë?
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit rë Shenjtë.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen
« Ndjenja për tjetrin hap shikimin për të matanshmën Kontributi i ilirëve në civilizimin perëndimor: rasti i Shën Jeronimit »