Refuzimi të mos ngjall urretje, por angazhim të mëtutjeshëm

Oct 1 • Meditimi i ditës

1 tetor 2019 – E marte, Shën Terezja e Krishtit Fëmijë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zak 8,20-23; Ps 87,1-7; Lk 9,51-56)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.
Më përshko me dashurinë tënde.
Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.
Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 – – – 

Lk 9, 51-56

 

51 Kur erdhi koha që Jezusi të ngrihej nga kjo botë, mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem.

52 Përpara dërgoi lajmëtarët e vet. Këta shkuan dhe hynë në një fshat samaritanësh për të përgatitur ardhjen e tij. 53 Por ata s’deshën ta pranojnë aty, sepse ishte nisur për Jerusalem. 54 Kur e panë këtë gjë, nxënësit ‑ Jakobi e Gjoni, thanë: “Zotëri, a do të urdhërojmë ‘që zjarri të zbresë nga qielli e t’i zhdukë?’“ 55 Jezusi u kthye kah ata dhe i qortoi.

56 Dhe u nisën për një fshat tjetër.

 – – – 

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezus, ti nuk do të lejosh që të shqetësohesh nga pengesat që vendosen para tej.  Ndize në mua zjarrin e shpirtit tënd të palëkundur në mënyrë që të mund të të ndjek deri në fund.
  • O Zot, kur refuzohem, kur nuk pranohem nga dikush, mund të më pushtojnë ndjenjat e zemërimit apo dëshira për hakmarrje. Mos lejo që t`u lëshohem këtyre ndjenjave dhe të më zotërojnë ato. Në vend të kësaj, bëj që të kthehem dhe të vazhdoj tutje siç ke bërë edhe ti.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »