Papa themelon të Dielën e Fjalës së Zotit

Oct 1 • Këndvështrime, Kisha në botë

Do të kremtohet të Dielën III të vitit kishtar, një ditë solemne për të rizbuluar kuptimin shëlbues të Fjalës së Zotit, që na nxit – gjithnjë në mënyrë të re – për të dalë nga individualizmi dhe për të rilindur në dashuri. Ky është thelbi i Motu prorio “Aperuit illis”, botuar sot nga Papa Françesku.

 

Me Letrën Apostolike në formën e Motu proprio “Aperuit illis” (Ua shndriti mendjen), Papa vendos që “e Diela III e Kohës së zakonshme të vitit liturgjik t’i kushtohet kremtimit, reflektimit dhe përhapjes së Fjalës së Zotit”. Dokumenti u bë i njohur sot, 30 shtator, në përkujtimin liturgjik të shën Jeronimit, në fillim të kremtimeve për 1600-vjetorin e vdekjes së përkthyesit të njohur të Biblës në latinisht, i cili pohonte: “Mosnjohja e Shkrimit të Shenjtë është mosnjohja e Krishtit”.

 

Jezusi shndrit mendjen për të kuptuar Shkrimin e Shenjtë

Françesku shpjegon se me këtë vendim, deshi t’u përgjigjej kërkesave të shumta të besimtarëve që në Kishë të kremtohej e Diela e Fjalës së Zotit. Letra fillon me një pjesë nga Ungjilli sipas Lukës (Lk 24,45), në të cilën Jezusi i ringjallur u duket dishepujve “ndërsa ishin mbledhur bashkë, thyen bukën me ta dhe ua shndrit mendjet për të kuptuar Shkrimin e Shenjtë. Atyre njerëzve të frikësuar dhe të zhgënjyer, u zbulon kuptimin e misterit të Pashkëve: pra, sipas planit të amshuar të Atit Qiellor, Jezusit iu desh të vuante dhe të ngjallej së vdekurish për të ofruar kthimin dhe faljen e mëkateve; gjithashtu, premton Shpirtin Shenjt, që do t’u japë atyre forcën të jenë dëshmitarë të këtij Misteri shëlbimi”.

 

Rizbulimi i Fjalës së Zotit në Kishë

Papa kujton Koncilin II të Vatikanit, i cili “i dha një shtysë të madhe rizbulimit të Fjalës së Zotit me Kushtetutën Dogmatike ‘Dei Verbum’”, si edhe Benediktin XVI, i cili, në vitin 2008, thirri Sinodin me temë “Fjala e Zotit në jetën dhe në misionin e Kishës” dhe shkroi Nxitjen Apostolike “Verbum Domini”, e cila “përbën një mësim të domosdoshëm për bashkësitë tona”. Në këtë dokument, thekson Papa Françesku, “thellohet funksioni performativ i Fjalës së Zotit, veçanërisht kur veprimi liturgjik del në pah nga karakteri i tij sakramental”.

 

Fjalë, që shtyn drejt bashkimit

E Diela e Fjalës së Zotit, nënvizon Ati i Shenjtë, bie në një kohë të vitit, që na fton për forcimin e lidhjeve me hebrenjtë dhe në lutjen për bashkimin e të krishterëve: “Nuk është një rastësi e thjeshtë kohore: kremtimi i së Dielës të Fjalës së Zotit shpreh një vlerë ekumenike, sepse Shkrimi i Shenjtë u tregon atyre, që e dëgjojnë, udhën për t’u ndjekur që të arrihet bashkimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm”.

 

Si ta kremtojmë të Dielën e Fjalës së Zotit

Françesku na nxit ta jetojmë këtë të Diel “si një ditë solemne. Ka rëndësi… që në kremtimin eukaristik të lartohet fizikisht teksti i Shkrimit Shenjt e të bëhet kështu e qartë për asamblenë vlera normative, që zotëron Fjala e Zotit… Në këtë të Diel, ipeshkvijtë mund të kremtojnë ritin e Lektoratit, ose një shërbesë të ngjashme, për të kujtuar rëndësinë e kumtimit të Fjalës së Zotit në liturgji. Vërtet, është thelbësore të mos mungojnë përpjekjet për të përgatitur disa besimtarë që të jenë kumtues të vërtetë të Fjalës së Zotit, me përgatitjen e duhur… famullitarët mund të gjejnë forma për t’ia dhënë Biblën, ose njërin prej librave të saj, gjithë asamblesë, që të dalë në pah rëndësia e vazhdimit të leximit, thellimit dhe lutjes me Shkrimin e Shenjtë në jetën e përditshme, duke iu referuar veçanërisht ‘lectio divina’”.

 

Bibla, libër i Popullit të Zotit, jo i një pakice të privilegjuar

“Bibla – shkruan Papa – nuk mund të jetë pasuri vetëm e disave dhe aq më pak, koleksion librash për pak të privilegjuar… Shpesh, shohim prirje, që përpiqen ta monopolizojnë tekstin e Shkrimit të Shenjtë, duke e kufizuar në disa qarqe, ose grupe të zgjedhura. Nuk mund të jetë kështu. Bibla është libri i Popullit të Zotit, që duke e dëgjuar, kalon nga shpërbërja dhe përçarja, në unitet. Fjala e Zotit i bashkon besimtarët dhe i bën ata një popull të vetëm”.

 

Rëndësia e homelisë për të shpjeguar Shkrimin Shenjt

Edhe në këtë rast, Papa ripohon rëndësinë e përgatitjes së homelisë: barinjtë e Kishës “kanë përgjegjësinë e madhe të shpjegimit dhe të mundësimit të të gjithëve për ta kuptuar Shkrimin Shenjt… duke përdorur një gjuhë të thjeshtë e të përshtatshme për dëgjuesit… Vërtet, për shumë besimtarë, ky është i vetmi rast për ta kuptuar bukurinë e Fjalës së Zotit dhe për ta parë të lidhur me jetën e përditshme… Nuk mund të improvizohet komenti i leximeve të Shkrimit të Shenjtë. Ne predikatorëve na kërkohet impenjimi për të mos u zgjatur tej masës me homeli plot fjalë të mëdha, ose me argumente të çuditshme. Kur ndalemi të meditojmë dhe të lutemi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë, atëherë jemi në gjendje të flasim me zemër për të arritur në zemrat e njerëzve që dëgjojnë”.

 

Natyra e Biblës, ndërmjet historisë dhe shëlbimit

Duke kujtuar episodin e dishepujve të Emausit, Papa kujton gjithashtu “lidhjen e pandashme ndërmjet Shkrimit të Shenjtë dhe Eukaristisë”. Më pas, citon Kushtetutën konciliare “Dei Verbum”, që shpjegon “qëllimin shëlbues, përmasën shpirtërore dhe parimin e mishërimit për Shkrimin e Shenjtë”. “Bibla nuk është përmbledhje librash historikë e as kronikë, por i kushtohet plotësisht shëlbimit të gjithanshëm të njeriut. Rrënjët e pamohueshme historike të librave, që përfshihen në Shkrimin e Shenjtë, nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë synim parësor: shpëtimin tonë. Gjithçka i kushtohet këtij qëllimi, shkruar në vetë natyrën e Biblës, e cila është hartuar si histori shëlbimi, në të cilën Zoti flet dhe vepron për t’u takuar me të gjithë njerëzit dhe për t’i shpëtuar ata nga e keqja dhe vdekja”.

 

Pa Shpirtin Shenjt, ka rrezik të biem në fundamentalizëm

“Për të arritur këtë qëllim shpëtimtar, Shkrimi i Shenjtë, nën dikimin e Shpirtit Shenjt, e shndërron fjalën e njerëzve, shkruar në mënyrë njerëzore, në Fjalën e Zotit. Roli i Shpirtit Shenjt në Shkrimin e Shenjtë është thelbësor. Pa veprimin e tij, ka gjithnjë rrezik të mbyllemi vetëm në tekstin e shkruar, duke e bërë të lehtë interpretimin fundamentalist, nga i cili duhet të qëndrojmë larg, për të mos e tradhtuar karakterin e frymëzuar, dinamik dhe shpirtëror, që zotëron Shkrimi i Shenjtë. Siç kujton Apostulli [Shën Pali], ‘Shkronja vret e Shpirti jep jetë’ (2 Kor 3,6)”.

 

Magjisteri frymëzohet nga Shpirti Shenjt në interpretimin e Fjalës

Papa kujton pohimin e rëndësishëm të Etërve konciliarë, “sipas të cilit Shkrimi Shenjt duhet të ‘lexohet dhe të interpretohet në dritën e po atij Shpirti, përmes të cilit është shkruar’ (Dei Verbum, 12). Me Jezu Krishtin, zbulesa e Zotit arrin përmbushjen dhe plotësinë e saj; megjithatë Shpirti Shenjt e vazhdon veprimin e tij. Në fakt, do të ishte e pakët të kufizohej dikimi i Shpirtit Shenjt vetëm në natyrën e frymëzuar hyjnisht të Shkrimit të Shenjtë dhe në autorët e ndryshëm të tij. Është e nevojshme, pra, të kemi besim në veprimin e Shpirtit Shenjt, që vazhdon të dikojë formën e tij të veçantë të frymëzimit kur Kisha u mëson të tjerëve Shkrimin e Shenjtë, kur Magjiseëri e interpreton atë vërtetësisht dhe kur çdo besimtar e kthen në normë shpirtërore”.

 

Feja biblike bazohet në Fjalën e gjallë, jo në një libër

Duke folur për Mishërimin e Fjalës së Zotit, që “i jep formë dhe kuptim lidhjes ndërmjet Fjalës së Zotit dhe gjuhës njerëzore, në kushtet e saj historike dhe kulturore”, Papa vëren se “shpesh, ka rrezik të ndahet Shkrimi Shenjt nga Tradita, pa e kuptuar që së bashku, ato janë burimi i vetëm i Zbulesës… Feja biblike… bazohet në Fjalën e gjallë, jo në një libër. Kur Shkrimi i Shenjtë lexohet me po atë Frymë me të cilën është shkruar, mbetet gjithnjë i ri”. Kështu, “kushdo ushqehet çdo ditë me Fjalën e Zotit, bëhet, si Jezusi, bashkëkohës i njerëzve që takon; nuk tundohet nga malli i shterpët për të kaluarën e, as nga utopitë e pamishëruara për të ardhmen”.

 

Të dalim nga individualizmi dhe të jetojmë në dashuri

Françesku na nxit “të mos ngopemi kurrë me Fjalën e Zotit”, që na kujton gjithnjë, në mënyrë të re, “dashurinë e mëshirshme të Atit, i cili u kërkon bijve të tij të jetojnë në dashuri… Fjala e Zotit është në gjendje të na i hapë sytë për të na mundësuar daljen nga individualizmi, që çon në asfiksi dhe në shterpësi, ndërsa zgjeron rrugën e bashkëndarjes dhe të solidaritetit”.

Letra përfundon, duke përmendur Zojën e Bekuar, që na shoqëron “në rrugën e pranimit të Fjalës së Zotit”, duke na mësuar lumnitë e atyre, që e dëgjojnë dhe e ruajnë atë./RV

Shpërndaje

Comments are closed.

«