Të vegjëlit janë të mbrojtur prej engjëjve të tyre!

Oct 2 • Meditimi i ditës

2 tetor 2019 – E mërkure, Engjëjt e Rojës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës:  Dal 23,20-23; Ps 91,1-6.10-11; Mt 18,1-5.10)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i të gjitha gjërave që ekzistojnë, të çdo gjëje që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

– – –

Mt 18, 1-5.10

 

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:

“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor.

  – – –

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Engjëjt janë krijesa të Zotit që kanë vend në planin e Tij të shpëtimit; detyra e tyre është që të na shoqërojnë në udhëtimin tonë të jetës.
  • Duke theksuar rolin dhe vendin e engjëjve Jezusi thekson edhe rëndësinë e secilit prej Na jep zemër që të jemi të vegjël dhe të përvuajtur, më së shumti që si fëmijët e vegjël të kemi një zemër të madhe dhe besim të plotë në Të.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem besim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«