Bëhu edhe ti dhuratë për Ungjillin!

Oct 3 • Meditimi i ditës

3 tetor 2019 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Neh 8,1-4a.5-6.7b-12; Ps 19,8-11; Lk 10,1-12)

 

Prania e Hyjit

Do të ndalem një moment e do të mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u bërë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke u dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto dhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 10, 1-12

 

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Për të shpallur, përhapur Mbretërinë e Hyjit, Ungjillin, Jezusi zgjedh që të mbështetet në një shumëllojshmëri dhuratash të njerëzve që i kishte zgjedhur. Ai na dërgon edhe ne, ashtu siç jemi. Me vete marrim pak, përveç fuqive tona të kufizuara dhe dobësive tona. Dhurata e paqes që mund t`ua sjellim atyre që na pranojnë është më e vlefshme se çfarëdo bisede rastësore.
  • O Zot, paqja do të thotë qetësi shpirti. Kjo është një dhuratë e madhe për t`ua dhënë të tjerëve. Por, para se ta ndajë atë me të tjerët më parë më duhet vetë të lejoj të jem i/e pushtuar nga ajo. Paqja e krishterë vjen nga dija se më do pafund, se kujdesesh për mua dhe se je gjithmonë me Ti je Bariu im dhe më udhëzon në rrugë të drejtë.

  

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë
që edhe më shumë të kërkoj.
Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

«