Engjëjt e Rojës e kanë ruajtur Kishën tonë në Kosovë në periudha të vështira

Oct 3 • Kisha në Kosovë

Dje, më 2 tetor Kisha Katolike ka kremtuar festën e Engjëllit Rojës, apo Engjëjt Rojtarë. Kjo festë në Dioqezën tonë festohet në Famullinë e Ferizajit, kisha së cilës është e kushtuar dhe është pajtor i saj.

Meshën e shenjtë solemne (ora 11:00) e kremtoi Don Shan Zefi, vikar gjeneral i Dioqezës, në bashkëmeshim me meshtarët e në prani të qindra besimtarëve të famullisë e shtegtarëve të famullive të Dekanatit të Prishtinës.

Homelinë e tij Don Shani e filloi me një ndodhi të bukur, se si Shën Françesku i Salesit, kur predikonte, u ndalte për pak çaste në heshtje. Kur e pyetën disa besimtarë pse e kishte këtë shprehi, ai u përgjigj: para se të predikoj për pak çaste u drejtohem engjëjve në qiell dhe këshillohem me ta.

Duke e shpalosur doktrinën e kishës për engjëjt, që ka burimet e saja në Shkrimin e Shenjtë, Biblën, etërit e Kishës, traditën dymijëvjeçare, mësimi i njohur i figurave të mëdha teologjike, siç janë Shën Tomë Akuini dhe Shën Augustini, predikatari i vendosi engjëjt në planin e Zotit për shpëtimin e njeriut, njerëzimit si të dërguar, lajmëtar të Zotit: ata na tregojnë dashurinë e madhe të Tij për ne, sepse Zoti e ka caktuar për secilin njeri një engjëll rojtar.

Në anën tjerët, në bazë të mësimit të Kishës, ka edhe engjëjt të këqij (djajtë), që e kanë kundërshtuar planin dhe vullnetin e Zotit; ata janë krijesat që vazhdojnë ta tundojnë, ta miklojnë njeriun e ta largojnë nga e mira.

Kjo kishë këtu në Ferizaj, – theksoi predikatari – jeni ju vetë dëshmitarë, se çdo uratë, pothuajse ka filluar dhe ka përfunduar, duke ju drejtuar engjëjve, sepse ata vazhdimisht e kundrojnë fytyrën e Zotit. E kujtojmë me dashuri ipeshkvin e ndjerë Imzot Nikë Prela, një bari që shumë iu ka lutur engjëjve të rojës, e ka përhapur përshpirtërinë ndaj engjëjve, dhe e ka krijuar një traditë të bukur që na ka lanë trashëgim. Mos të harrojmë – vazhdoi predikatari – luftën e fundit në Kosovë, a nuk ka pasur një ndërhyrje hyjnore që të shpëtoi ky popull i yni. Duhet të ketë qenë një fuqi hyjnore, engjëjt rojtar që mbrojnë nga shkatërrimi i luftës dhe urrejtjes. Meshtarët dhe motrat e nderit, të forcuar e mbrojtur nga engjëjt, qëndruan dhe ndihmuan të gjithë, vëllezërit e motrat e tyre edhe jo të krishtera. Ata ishin të nxitur nga ky ndikim hyjnor, nga lajmëtarët e dashurisë së Zotit, engjëjt, vazhduan ta shpallin paqen dhe dashurinë mes njerëzve – vlerësoi Don Shani shërbimin e kësaj kishe në periudhën e fundit në Ferizaj.

Mesha e shenjtë ishte e animuar me këngët e bukura të Korit të famullisë, kurse Radio Maria e Kosovës e transmetoi drejtpërdrejtë për ta përçuar kumtin e kësaj feste edhe te familjet tona në të gjitha pjesët e botës ku jetojnë, dhe tek të sëmurët që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm./drita.info

Përgatiti për Dritën: Anton Gjergj Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

«