Lutja e të krishterëve: “O Zot, na e shto fenë”

Oct 5 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela XXVII gjatë vitit C

 

Leximi i parë   Hab 1, 2-3; 2, 2-4

Një popull i huaj shtyp popullin hebraik. Si të durosh që feja e besimtarëve të dështojë nga pushtuesit paganë? Duhet të kalojnë shumë breza, para se besimtarët të mësojnë të dialogojnë me jobesimtarët. Duhet të kalojnë shekuj para se Ungjilli t’u propozohet paganëve dhe ata të pranojnë besimin.  Ajo që përkufizon të drejtin nuk është suksesi apo fitorja e besimit të tij, por qëndrueshmëria e tij në besim.

 

Lexim prej Librit të Habakukut profet

Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë!” – do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja! Zoti atëherë më gjegji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavërroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrejedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk rren; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   95

 

Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

——————————

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

——————————

Ejani ta adhurojmë,

të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.

——————————

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

——————————

 

Leximi i dytë   2 Tim 1, 6-8.13-14

Jezusi nuk u ka thënë kurrë apostujve të tij se të shpallësh Ungjillin është si të bësh një shëtitje.  Por është normale të vuash për Ungjillin. Është e nevojshme të shpallësh Ungjillin pa frikë, të mbrosh besimin e transmetuar nga apostujt. 

 

Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë. Prandaj mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, poq hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit. Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 17, 5-10

Në këtë shëmbëlltyrë duket se Jezusi na paraqet fytyrën e një Hyji shumë të ashpër dhe kërkues përballë lodhjes së shërbëtorëve të vet. Por Jezusi do të denoncojë falsitetin që banon në skutat më të fshehta të zemrës sonë. Farisenjtë punojnë shumë, por llogarisin të drejtat dhe meritat që kanë para Hyjit për veprimet e tyre të mira. Llogaritë njerëzore nuk kanë vlerë para syve të Zotit. Ai do vetëm pak besim, edhe pse e vogël si një kokërr sinapi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!” Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte. Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Është një e keqe shumë e përhapur mes besimtarëve të konsideruarit e besimit si një pranim i thjeshtë i disa të vërtetave, pa një lidhje dashurie me Hyjin dhe një përfshirje konkrete në jetë.

“Shtoje besimin tonë!”. Apostujt kuptojnë thellësinë e mesazhit të Jezusit: angazhimin për të vënë Hyjin para të gjithëve e para gjithçkaje, por e kuptojnë se ky besimi i tyre është i brishtë e se me forcat e tyre nuk mund t’ia dalin.

“Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit …”, Jezusi nënvizon rëndësinë, nevojën e fuqinë e paparë të besimit. Pohon se, nëse ata do të kishin aq besim sa kokrra e sinapit, do të kishin forcën për të çrrënjosur një pemë me gjithë rrënjë e për ta mbjellë në det. Nëse ekziston një besim i vërtetë dhe real në Hyjin, ndodh ajo që sipas arsyes njerëzore është e pamundur.

“Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet …”. Jezusi edukon me një besim ‘gjithnjë në veprim’ me shëmbëlltyrën e shërbëtorit që, pas ditës së tij plot me punë, qëndron gjithmonë në dispozicion të pronarit të tij pa pretenduar të drejta. Ai është Zoti ynë e ne varemi prej tij në gjithçka.

“Jemi shërbëtorë të padobishëm!” domethënë që jemi shërbëtorë e kaq, vetëm shërbëtorë. Shërbëtorë që punojnë pa pushim e pa pretendime. Është një shërbim që zhvillohet me dashuri, në një klimë besimi. Ai nuk është një pronar autoritar, por një atë shumë i dashur, që nuk mund të tejkalohet në mirësi dhe bujari.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në provat e jetës ndoshta edhe ne kemi dyshuar mbi Hyjin Atë, mbi mirësinë dhe gjithëpushtetshmërinë e tij. T’i kërkojmë Atij ashtu si apostujt, një besim më të madh. Të lutemi së bashku e të themi:

 

Shtoje, o Zot, besimin tonë.

L. Për Kishën: që të jetë besnike ndaj fjalës së Jezusit edhe kur gjendet në vështirësi, në kundërshtime dhe në persekutime. Të lutemi

L. Për të krishterët: që secili në kontekstin e tij të veçantë të jetës të bashkëpunojë në ndërtimin e mbretërisë së Hyjit në tokë. Të lutemi

L. Për vëllezërit tanë të sëmurë: që besimi në Hyjin t’i ngushëllojë dhe të na japë të gjithë neve një bashkëndarje të sinqertë të të vuajtjes dhe të shpresës së tyre për një kthim në jetën normale. Të lutemi

L. Për ata që skandalizohen përballë së keqes dhe vuajtjes së të pafajshmëve: që të vazhdojnë të besojnë në Hyjin. Të lutemi

L. Për këtë bashkësinë tonë: që fjala e dëgjuar dhe Eukaristia e marrë të na bëjnë të fortë dhe koherentë në shpalljen e fesë në jetën e përditshme. Të lutemi

M. O Hyj, që në mirësinë tënde u komunikon të gjithë popujve dhuratën e besimit, shikoji bijtë e tu në shpirt, sepse ata që kanë rilindur në Pagëzim marrin veshjen e bardhë të jetës së pavdekshme. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«